Mesditën e së mërkurës, është bërë me dije për mediat përmes një njoftimi se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar nga qelitë e paraburgimit të Durrësit drejt burgut të Fierit.
Burime jozyrtare flasin për një kontroll të befasishëm në qelinë e Veliajt, ku pretendohet se mund të jenë gjendur sende të paligjshme, çka ka bërë edhe transferimin e rrufeshëm për në Fier.
Por padiskutim që arsyeja është hakmarrja e Ramës që Veliaj inkurajoi protestat studentore kundër Edi Ramës.
Kujtojmë se pak ditë më parë Veliaj reagoi përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ku i cilësoi protestat studentore jo si fundin e botës, por fundin e një bote: “Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë ‘fundi i botës’, por fundi i ‘një bote’”. Edhe pse reagimi i kryebashkiakut të burgosur ishte në dukje për rezultatin e zgjedhjeve në Serbi, ku protestat studentore përmbysën regjimin e mikut të Ramës, Aleksandër Vuçiç, statusi i Veliajt u lexua si nxitje dhe inkurajim për vazhdimin e revoltës studentore edhe në vendin tonë.
Deri në zbulimin e vërtetë të arsyeve të transferimit të beftë të tij drejt burgut të Fierit, këto janë opsionet më të mundshme pse u bë, derisa transferimi nuk është bërë me kërkesë të vetë të burgosurit.







