SPAK përfundoi hetimet dhe dorëzoi për gjykim dosjen penale ndaj Eugert Sinos, i cili akuzohet për trafik armësh dhe grup kriminal.
Nga hetimet rezultoi e provuar se i pandehuri Eugert Sino, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, ka arritur të sigurojë një sasi të konsiderueshme armësh zjarri. Konkretisht, 5 armë të gjata/snajper, 6 armë automatike, 12 pistoleta, 17 krehra të tjerë, 4 tyta armësh, si dhe sasinë prej 7820 copë fishekësh luftarakë të kalibrave të ndryshëm.
Sipas aktekspertimeve respektive, ka rezultuar se armët e zjarrit dhe municionet luftarake janë në gjendje të rregullt teknike dhe mund të realizojnë qitje.
Hetimet kanë provuar se i pandehuri Eugert Sino ka pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.
Armët u sekuestruan në furgon dhe dyshohet se do të përdoreshin për ngjarje kriminale.
Hetimet për rastin janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë kosovare, strukturat e hetimit të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, si dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.
Ndërsa, për të identifikuar bashkëpunëtorët e Sinos, SPAK ka veçuar një fraksion të dosjes.







