Administrata Tatimore ka përfunduar procesin e kompensimit automatik të tepricës kreditore me detyrimet tatimore të papaguara, në kuadër të zbatimit të ligjit në fuqi për faljen e detyrimeve tatimore. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, vlera totale e kompensimeve të realizuara arrin në 10.4 milionë euro, ndërsa nga kjo masë kanë përfituar 13,408 tatimpagues. Gjatë procesit janë kryer gjithsej 86,773 transaksione.
Administrata Tatimore bën të ditur se kompensimi është realizuar në mënyrë automatike, pa qenë e nevojshme që tatimpaguesit të paraqesin kërkesa apo të ndjekin procedura shtesë. Ky mekanizëm synon të lehtësojë barrën fiskale për bizneset dhe individët që kanë detyrime të papaguara, duke shfrytëzuar tepricat kreditore të akumuluara në sistem. Sipas administratës tatimote, zbatimi i masave të parashikuara në ligjin e faljes do të vijojë edhe në fazat e ardhshme, me qëllim uljen e detyrimeve tatimore për mijëra tatimpagues dhe përmirësimin e administrimit fiskal në vend.
Bizneset do të përfitojnë mbi 460 milionë euro detyrime tatimore të falura përmes ligjit për faljen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore, i cili ka nisur aplikimin nga data 15 maj 2026.
Referuar të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, gjendja e detyrimeve tatimore deri në fund të 2025-ës arrin në 194.4 miliard lekë. Gjatë vitit 2025, detyrimet tatimore kanë pësuar një rritje neto 31.89 miliardë lekë nga Janari në Dhjetor, ose thënë ndryshe është rritur stoku i detyrimeve me 19.6%, rreth 24.6 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin paraardhës. Në total, në stokun e borxhit sipas vjetërsisë, rezulton se borxhi mbi 10 vjet zë 23.8% ndaj totalit, e përkthyer në vlerë monetare afro 46.2 miliardë lekë apo mbi 462 milionë euro, detyrim ky i cili preket nga ligji i faljes dhe fshihet automatikisht nga sistemi. Nga falja peken detyrime, gjoba dhe kamatvonesa të krijuara deri në Dhjetor të vitit 2014.







