Momente tensioni janë regjistruar në shkollën e mesme “Galileo Galilei” në Itali, ku një mësues është përballur me një situatë kërcënuese gjatë zhvillimit të mësimit, pasi një nxënës dyshohet se i ka drejtuar një armë që dukej identike me një të vërtetë.
Sipas raportimeve të mediave italiane, incidenti ka ndodhur më 21 maj në një klasë të një programi profesional. Gjatë orës së mësimit, një prej nxënësve i është afruar profesorit dhe i ka kërkuar cigare, duke e shoqëruar kërkesën me fjalë kërcënuese: “Më jep cigaret, përndryshe do të të qëlloj”.
Burimet bëjnë me dije se mësuesi është zënë në befasi nga veprimet e grupit të nxënësve, ndërsa autori i dyshuar i ka drejtuar armën pranë kokës, duke krijuar panik dhe pasiguri në klasë.
Më vonë u konstatua se objekti i përdorur nuk ishte armë e vërtetë, por një kopje shumë e ngjashme me një pushkë reale. Megjithatë, kjo nuk e zbuti seriozitetin e situatës, pasi mësuesi dhe nxënësit e pranishëm e perceptuan ngjarjen si një kërcënim real.
Episodi është filmuar me telefon dhe pas përfundimit të orës është denoncuar nga vetë profesori. Ai ka njoftuar menjëherë drejtuesit e institucionit dhe ka dokumentuar ngjarjen edhe në regjistrin zyrtar të klasës.
Drejtoria e shkollës ka bërë të ditur se rasti është marrë në shqyrtim dhe po ndiqen të gjitha procedurat disiplinore të parashikuara nga rregullorja, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi sanksionet që mund të aplikohen ndaj nxënësit të përfshirë.
Kjo nuk është hera e parë që institucioni përfshihet në polemika. Sipas mediave vendase, shkolla ishte përballur edhe më herët me një tjetër episod problematik, kur disa nxënës organizuan një përleshje të ngjashme me një ndeshje boksi gjatë pushimit, ngjarje që solli masa të rënda disiplinore dhe përjashtimin e disa prej tyre nga provimet.







