Ballina Politika ‘Protestat, pakënaqësi ndaj sistemit’, Tabaku takon raporterin për Shqipërinë Kovatchev: Qytetarët kërkojnë...

‘Protestat, pakënaqësi ndaj sistemit’, Tabaku takon raporterin për Shqipërinë Kovatchev: Qytetarët kërkojnë ndryshimin

66
0

Protestat pasqyrojnë pakënaqësinë ndaj një sistemi që për 13 vite ka prodhuar ligje dhe mekanizma në favor të interesave të ngushta.

Kështu është shprehur ndër të tjera deputetja demokrate, Jorida Tabaku, në takimin që ka pasur në Kryesinë e Kuvendit sot, me eurodeputetin dhe raporterin në hije për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andrey Kovatchev.

Gjatë takimit, Tabaku dhe Kovatchev diskutuan mbi ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, sfidat që shoqërojnë reformat dhe zhvillimet e fundit politike në vend, me një fokus të veçantë tek protesta qytetare që po hyn në ditën e saj të 16-të.

“Qytetarët kërkojnë ndryshim të një sistemi që ka kapur shtetin dhe ka dobësuar institucionet. Integrimi europian do të thotë më shumë se kapituj e konferenca; do të thotë standarde europiane, shtet ligjor dhe mundësi për shumicën”, shkruan deputetja e PD në një postim të saj në rrjetin social pas takimit.

Tabaku ka denoncuar më parë Ligjin e Investimeve Strategjike dhe ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura janë dy nga shembujt më domethënës të këtij modeli.

Ligjvënësja thekson se opozita i ka kundërshtuar vazhdimisht këto iniciativa, përmes amendamenteve parlamentare, qëndrimeve publike dhe komunikimit me institucionet europiane, duke paralajmëruar për pasojat që ato do të sillnin për shtetin ligjor, transparencën dhe mbrojtjen e interesit publik.

Ajo nënvizoi se një pjesë e konsiderueshme e kritikave të ngritura sot nga qytetarët përkojnë me shqetësime që janë evidentuar prej kohësh edhe nga partnerët europianë, të cilët kanë kërkuar rishikimin e legjislacionit që krijon trajtime të privilegjuara, cenon konkurrencën dhe dobëson mekanizmat e kontrollit institucional.

Postimi i plotë i Jorida Tabakut:

“Me mikun Andrey Kovatchev dhe deputetët e parlamentit të ri Bullgar diskutova për integrimin europian dhe protestën qytetare.

Qytetarët kërkojnë ndryshim të një sistemi që ka kapur shtetin dhe ka dobësuar institucionet. Integrimi europian do të thotë më shumë se kapituj e konferenca; do të thotë standarde europiane, shtet ligjor dhe mundësi për shumicën”.