Përdorimi i cigareve elektronike mund të ndryshojë aktivitetin e mijëra gjeneve në organizëm, ndërsa aromat e frutave duket se shkaktojnë ndikimin më të madh biologjik, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore Frontiers in Oncology.
Shkencëtarët zbuluan se personat që përdorin rregullisht cigare elektronike shfaqin ndryshime në aktivitetin e 3124 gjeneve krahasuar me njerëzit që nuk pinë duhan dhe nuk përdorin cigare elektronike. Sipas analizës, rreth dy të tretat e këtyre ndryshimeve lidhen me aromat dhe llojin e pajisjes së përdorur, ndërsa vetëm një pjesë më e vogël me shpeshtësinë ose sasinë e përdorimit.
Studiuesit nga Keck Schoolof Medicine of USC analizuan 83 persona, përfshirë përdorues cigaresh elektronike, duhanpirës dhe persona që nuk përdornin asnjërën. Mostrat u morën nga qelizat e pjesës së brendshme të faqeve dhe u analizuan me teknika të avancuara të sekuencimit të ARN-së.
Rezultatet treguan se aromat e ndryshme prodhonin efekte të ndryshme në rregullimin e gjeneve. Aromat e ëmbla lidheshin me ndryshime në 2.9% të gjeneve të prekura, mentoli me 0.9%, aromat e frutave me 31%, ndërsa përdorimi i disa aromave njëkohësisht me 64.3%.
Edhe pajisjet më të avancuara dhe të rimbushshme, të njohura si “mods”, u lidhën me ndryshimet më të forta dhe më të qëndrueshme në aktivitetin gjenetik. Sipas studiuesit kryesor, Ahmad Besaratinia, përbërja kimike e lëngjeve dhe dizajni i pajisjeve kanë ndikim më të madh sesa sasia e përdorimit.
Analiza tregoi gjithashtu se ndryshimet gjenetike të vërejtura tek përdoruesit e cigareve elektronike lidhen më shpesh me procese që kanë të bëjnë me kancerin, çrregullimet endokrine, sëmundjet gastrointestinale dhe ato neurologjike.
Autorët theksojnë se studimi nuk provon se cigaret elektronike shkaktojnë drejtpërdrejt këto sëmundje, por sugjeron se produktet me aroma, veçanërisht ato me shije frutash dhe pajisjet moderne me fuqi më të lartë, mund të kenë efekte biologjike më të mëdha se sa mendohej më parë. Ata kërkojnë që rregullatorët të vlerësojnë më me kujdes aromat dhe karakteristikat e pajisjeve kur shqyrtojnë sigurinë e cigareve elektronike







