Marjana Koçeku nuk është e pranishme sot në Komisionin e Jashtëm, ku është anëtare. Pas reagimeve të shumta ndaj deputetes Marjana Koçeku, e cila braktisi Partinë Socialiste duke dalë e pavarur, kjo e fundit ka reaguar sërish në rrjetet sociale. Këtë herë Koçeku u ka drejtuar një mesazh në rrjetet sociale, Bajrajve në Shkodër, duke lënë të kuptohet se familjarët e saj janë kërcënuar prej tyre . Në reagimin e saj, Koçeku paralajmëron se do të kundërpërgjigjet nëse familjarëve të saj u ndodh diçka.
“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”, shkruan ajo.
Sipas burimeve grupi parlamentar i PS nuk ka pasur asnjë koment deri më tani. As në Kuvend nuk ka ardhur shkresë zyrtare nga Koçeku që kërkon të largohet nga grupi i PS.
Vendimi i Koçekut për largimin nga grupi parlamentar i PS vjen pas një sërë qëndrimesh dhe zhvillimesh të fundit brenda grupit parlamentar të PS-së, përfshirë edhe mosvotimin e ligjit për barazinë ligjore, ku deputetja është larguar nga salla gjatë votimit.
Gjithashtu raportohet se Koçeku ka marrë kritika edhe në mbledhje të mbyllura të grupit parlamentar socialist, përfshirë edhe nga kryeministri Edi Rama, lidhur me çështje si prishjet e ndërtimeve në Theth.
Në qëndrimet e saj publike, Koçeku ka folur më herët për ndotjen mjedisore, duke ngritur shqetësime për ndotjen e lumenjve si në takime lokale në Shkodër, ashtu edhe në Kuvend, ku në disa raste ka mbështetur edhe qëndrime të deputetëve të opozitës, përfshirë Kliti Hotin.
Gjithashtu, ajo ka reaguar në mbështetje të rektorit Gjuraj dhe ka mbajtur qëndrime që kanë sjellë diskutime brenda radhëve të PS-së.
Raportohet se në një aktivitet për 35-vjetorin e PS-së në Shkodër, gjatë një takimi në kala, deklarata e saj drejtuar kryeministrit Rama për “bluzën rozë me flamingo” është interpretuar si ironi nga disa pjesëmarrës.







