Ballina Kronika Policia procedon 16 protestues: Hynë në fan zonën e ndeshjes Francë-Senegal dhe...

Policia procedon 16 protestues: Hynë në fan zonën e ndeshjes Francë-Senegal dhe bllokuan qarkullimin në Tiranë

72
0

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 16 pjesëmarrës në protestën qytetare të zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet, duke i akuzuar për pengim të qarkullimit të mjeteve, prishje të rendit dhe qetësisë publike, si edhe organizim e pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme.

Sipas policisë, protestuesit janë futur në pjesën e fan zonës në sheshin “Skënderbej”, e përshtatur për ndjekjen e aktiviteteve sportive, ku po transmetohej ndeshja Francë-Senegal. Autoritetet pretendojnë se ata kanë prishur qetësinë publike dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të pranishëm që të linin aktivitetin sportiv dhe t’i bashkoheshin tubimit.

Në njoftimin zyrtar thuhet gjithashtu se këta shtetas kanë nxitur pjesëmarrësit që protesta të vijonte përtej orarit të njoftuar nga organizatorët, nga ora 18:00 deri në 22:00, si dhe nuk kanë respektuar perimetrin e përcaktuar për zhvillimin e saj.

Sipas Policisë së Tiranës, si pasojë e veprimeve të tyre është shkaktuar bllokim i qarkullimit të automjeteve dhe pengesë në lëvizjen e qytetarëve në disa akse të kryeqytetit.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në lidhje me bllokimin e rrugëve në Tiranë nga organizatorët dhe pjesëmarrësit në tubim, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë proceduan penalisht 16 shtetas: A.K., 46 vjeç, L.K., 33 vjeçe, A.Ll., 30 vjeçe, E.K., 32 vjeç, A.K., 30 vjeç, T.K., 24 vjeç, M.Y., 22 vjeç, Xh.D., 23 vjeç, S.T., 22 vjeç, I.Xh., 44 vjeç, E.Q., 41 vjeç, E.K., 23 vjeç, A.D., 21 vjeç, S.Gj., 33 vjeç, A.K., 30 vjeç dhe E.L., 21 vjeç.

Ata dyshohen për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.