Një ditë pas miratimit të raportit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, i cili u shoqërua me reagime nga politika në Tiranë, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kundërshtoi këtë të enjte interpretimin që qeveria i ka bërë amendamentit 17 për zonat e mbrojtura, duke akuzuar zyrën e Kryeministrit për “dezinformim” dhe duke pretenduar se dokumenti i miratuar në Strasburg kërkon rishikimin e ndryshimeve ligjore të bëra nga socialistët
Në një deklaratë për mediat, Tabaku tha se gjatë diskutimeve në Parlamentin Europian janë ngritur shqetësime që lidhen me korrupsionin, investimet strategjike, ligjin për zonat e mbrojtura dhe pastrimin e parave.
“Po diskutoheshin raportet për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe pothuajse të gjithë eurodeputetët ngritën të njëjtat shqetësime për atë që po ndodh sot në Shqipëri. Ata ishin të qartë se protesta që zhvillohet sot në vend lidhet me akumulimin e problemeve të 14 viteve të fundit: me sistemin që ka ndërtuar Edi Rama, me arrogancën e pushtetit, me korrupsionin dhe me ligjet me porosi”, deklaroi ajo.
Duke komentuar më tej amendamentin për zonat e mbrojtura, Tabaku tha se formulimi i miratuar kërkon rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe garantimin e vlerësimeve mjedisore sipas standardeve europiane.
“Kishte disa amendamente të propozuara nga grupi i të Gjelbërve, të cilat PPE i trajtoi me përgjegjësi dhe në fund u arrit një formulim që reflekton kërkesat e protestuesve. Amendamenti dënon ligjin e investimeve strategjike dhe kërkon pezullimin e tij të menjëhershëm. Po ashtu kërkon rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe garantimin që çdo projekt të shoqërohet me vlerësime të plota mjedisore, konsultim me shoqërinë civile dhe me komunitetet lokale”, tha ajo.
Tabaku akuzoi gjithashtu qeverinë për mënyrën se si është paraqitur publikisht dokumenti i miratuar në Strasburg.
“Unë e kuptoj që disa përfaqësues të politikës shqiptare nuk patën mundësi të zhvillonin takime dhe të dëgjonin nga afër diskutimet që u zhvilluan atje, por dezinformimi që ka ardhur nga zyra e Kryeministrit gjatë dy ditëve të fundit është i paprecedentë”, deklaroi deputetja e PD-së.
Reagimi i Tabakut vjen një ditë pasi Parlamenti Europian miratoi raportin vjetor për Shqipërinë. Në dokument u përfshi edhe një amendament që u bën thirrje autoriteteve shqiptare të vendosin një moratorium për procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore në zonat e mbrojtura deri në përshtatimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian.
Pas votimit në Strasburg, kryeministri Edi Rama përshëndeti miratimin e raportit dhe deklaroi se “flamingot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet”, duke theksuar se çdo projekt do t’i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit në mjedis sipas standardeve të Bashkimit Europian.







