Kryeministri Edi Rama është i pranishëm në Rinas në ceremoninë inauguruese të fluturimit të parë Tiranë–Toronto. Një tjetër urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Kanadasë, që afron më shumë qytetarët, bizneset dhe komunitetin shqiptar përtej Atlantikut.
“Objektivi ynë është që së shpejti të kemi edhe linjën tjetër direkte, atë me SHBA. Edhe për këtë është bërë përparim i konsiderusehëm dhe jemi shumë afër finalizimit. TIA prej disa vitesh mban vendin e parë në Europë për rritjen e numrit të pasagjerëve.
Parashohim që në fund të kësaj dekade të kalojmë 100 mijë pasagjerë. Kemi digjitalizuar check-in dhe check-out dhe do të hapim një kapitull të ri të modernizimit të aeroportit, që janë portat digjitale, ku do të hyhet pa asnjë lloj kontrolli nëse je shqiptar dhe ke pasaportë biometrike shqiptare.
Kjo do të bëjë që për të gjithë shqiptarët hyrja të jetë si në shtëpi. I gjithë informacioni do të merret nëpërmjet AI që do të ketë kjo portë. Do të nisë me vendasit dhe do të vazhdojë edhe me të huajt.
Jemi në një moment të rëndësishëm edhe për faktin se Shqipëria ka përmbyllur një fazë të re transformimi në turizëm dhe duhet të hyjë në një tjetër fazë. Një prej grafikëve që pashë mbi turizmin ishte ai që tregon se artimetikisht është sinjali që duhet të hapim kapitullin e konsumatorit të pasur”, u shpreh Rama.







