Infosoft, kompania shqiptare e teknologjisë së informacionit, është shpallur fituese në tenderin 16.7 milionë euro për furnizimin e institucioneve të Kosovës me liçenca të produkteve Microsoft.
Sipas njoftimit të publikuar në platformën e-prokurimi në tenderin e majmë paraqitën oferta dy kompani. Ofertën më të lirë e dorëzoi kompania nga Maqedonia e Veriut, Komtrejd Distrivucija DOOEL.
Por, Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës e skualifikoi kompaninë maqedonase me arsyetimin se “është e papranueshme në aspektin e sigurisë kombëtare”.
Në një letër dërguar operatorit nga Maqedonia e Veriut, MPB tha se operatori ekonomik i përzgjedhur për këtë tender mund të ketë qasje të drejtpëdrejtë ose të tërthortë në sistemit dhe të dhëna të institucioneve me rëndësi vitale për shtetin.
“Për këtë arsye, Autoriteti Kontraktues është i obliguar të vlerësojë me kujdes të shtuar çdo rrethanë që mund të ndikojë në sigurinë, përfshirë besueshmërinë e operatorit ekonomik, kontrollin mbi personelin teknik, si dhe garancitë për mbrojtjen e të dhënave dhe sistemeve”, tha MPB në letrën ku e njoftoi kompaninë Komtrejd Distribucija për eliminim nga gara.
Kompania fituese, Infosoft Systems, aktualisht ofron shërbimet e licencave të Microsoftit për institucionet e Republikës së Kosovës, sipas një kontrate që MPB-ja kishte lidhur më 2023. Në vitin 2023, ministria kishte lidhur kontratë afro 15 milionë euro përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit duke ftuar vetëm kompaninë “Infosoft Systems”.
Edhe atëherë, arsyetimi kryesor kishte qenë “siguria kombëtare”, pasi një nga partnerët e autorizuar të Microsoft-it operonte nga Serbia.
Infosoft është një kompani shqiptare e themeluar nga biznesmeni Grigor Joti, që në vitin 1995. Por dy vjet më parë zoti Joti vendosi të dalë nga kompania duke e shitur atë dhe aktualisht ajo zotërohet nga Bledar Dhima dhe Armand Sharra, që zotërojnë respektisht 33.4 për qind dhe 66.6 për qind të aksioneve.







