Ballina Kosovë Kurti njofton identifikimin e tre intelektualëve të zhdukur gjatë luftës: U rrëmbyen...

Kurti njofton identifikimin e tre intelektualëve të zhdukur gjatë luftës: U rrëmbyen nga forcat serbe në prillin e vitit 1999

38
0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se janë identifikuar edhe tre persona të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, pas pranimit të raporteve të reja të analizave të ADN-së.

Përmes një postimi, Kurti bëri të ditur se në bazë të rezultateve të ADN-së janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu dhe Ali (Islam) Haliti, të cilët ishin pjesë e Grupit të Intelektualëve.

Sipas tij, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, tashmë ka njoftuar familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të çështjes kombëtare.

Kurti bëri të ditur se ata ishin rrëmbyer nga forcat e armatosura serbe në prillin e vitit 1999 dhe më pas ishin zhdukur me dhunë.

Ai shprehu ngushëllimet për familjet, duke theksuar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës.

Kreu i Qeverisë theksoi gjithashtu se Kosova do të vazhdojë angazhimin për drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës, duke akuzuar Serbinë për mohimin dhe fshehjen e tyre, si dhe për klasifikimin e dokumenteve dhe arkivave që lidhen me këtë periudhë.