Ballina Aktualitet Këlcyrë/ Dhjetëra krerë bagëti të ngordhura hidhen në përrua, banorët të shqetësuar...

Këlcyrë/ Dhjetëra krerë bagëti të ngordhura hidhen në përrua, banorët të shqetësuar për përhapjen e infeksioneve

63
0

Një situatë alarmante dhe tejet shqetësuese është denoncuar në fshatin Psar, në Bashkinë e Këlcyrës, ku dhjetëra krerë bagëti të ngordhura janë hedhur në përroin e fshatit, duke krijuar një vatër të rrezikshme ndotjeje dhe një kërcënim serioz për shëndetin publik.

Pamjet tregojnë kufoma kafshësh të hedhura pranë rrjedhës së ujit, në kundërshtim të plotë me çdo rregull sanitar dhe mjedisor. Banorët shprehen të revoltuar, pasi përveç ndotjes së mjedisit, ekziston frika e përhapjes së infeksioneve dhe sëmundjeve, veçanërisht në kushtet e temperaturave të larta të stinës.

Ende nuk dihet shkaku i ngordhjes së bagëtive dhe nëse ato kanë qenë të prekura nga ndonjë sëmundje infektive. Pikërisht kjo e bën situatën edhe më të rëndë, pasi mungesa e një verifikimi veterinar dhe hedhja e tyre në natyrë mund të sjellë pasoja të paparashikueshme për zonën.

Edhe pse autoritetet lokale dhe strukturat përgjegjëse janë vënë në dijeni të rastit, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë masë për largimin e kafshëve të ngordhura apo për dezinfektimin e zonës. Heshtja dhe mosveprimi i institucioneve përballë një rasti të tillë përbën një skandal të vërtetë mjedisor dhe institucional.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia Këlcyrë, shërbimi veterinar dhe institucionet e mjedisit për të identifikuar përgjegjësit, për të larguar mbetjet shtazore dhe për të shmangur një emergjencë të mundshme sanitare.