Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 64-vjeçarin Shtjefën Ziçi, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Zamira Lila, ndërsa organi i akuzës u përfaqësua nga prokurorja Albulena Koliçi. Mbrojtjen e të pandehurit e përfaqësoi avokati Agim Martini.
Gjatë seancës, 64-vjeçari nuk dha asnjë deklaratë para gjykatës. Prokuroria kërkoi caktimin e masës “arrest me burg”, kërkesë që u pranua nga gjykata.
Nga ana tjetër, avokati mbrojtës kërkoi që ndaj klientit të tij të kryhet një ekspertim psikiatrik. Sipas tij, deri në momentin e ngjarjes, Shtjefën Ziçi ka bërë një jetë të rregullt familjare, ka rritur dy fëmijë së bashku me bashkëshorten dhe nuk ka pasur konflikte të njohura, urdhra mbrojtjeje apo probleme në marrëdhënien e tyre.
Mbrojtja argumentoi se ngjarja ka ndodhur në rrethana të pashpjegueshme, ndaj është e nevojshme vlerësimi i gjendjes psikike të të pandehurit.
Pas arrestimit, 64-vjeçari ka folur shumë pak para efektivëve të policisë. Në gjendje shoku, ai ka thënë vetëm: “Kam vrarë gruan time, çfarë kam bërë?”, pa dhënë më pas deklarime të tjera para hetuesve.







