Zbulohet një laborator për falsifikim të dokumenteve në Tiranë, kundrejt shumave 3000-5000 euro. Sekuestrohen 46 dokumente (shkollore, gjyqësore, certifikimi dhe aplikimesh) të dyshuara të falsifikuara, 2 vula të dyshuara false, 6 celularë dhe 3 kompjuterë.
Arrestohen 3 shtetas: babë e bir që kishin vënë banesën, në dispozicion të kësaj veprimtarie kriminale, dhe bashkëpunëtori i tyre. U arrestuan: Hashim Markaj,Sulejman Markaj dhe Elidon Vladi.
Gjatë kontrolleve rezultoi se të arrestuarit kishin përshtatur banesën e Hashim Markaj dhe Sulejman Markaj në fshatin Rrushkull, Durrës, për falsifikim të dokumenteve si: diploma, dokumente shkollore të tjera, certifikata, vërtetime gjyqësore dhe dokumente për aplikime në institucione të ndryshme. Në këtë ambient u gjetën 2 vula false, 6 celularë dhe 3 kompjuterë, që dyshohet se i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale, si dhe dhjetëra dokumente të dyshuara false.
Hetimi vijon për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me të arrestuarit, për këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.







