Ballina Aktualitet ‘Zvërneci’/ Kikia: Ka grupe që mund të përplasen, ja çfarë e rrezikon...

‘Zvërneci’/ Kikia: Ka grupe që mund të përplasen, ja çfarë e rrezikon protestën

82
0

Gazetari Mentor Kikia, i ftuar në një studio televizive vlerëson se protesta aktuale përballet me një sfidë të madhe në aspektin politik, kryesisht për shkak të mungesës së një kërkese të qartë dhe të negociueshme.

Sipas tij, ndryshe nga protestat e mëparshme si ajo kundër mbetjeve kimike apo ajo e studentëve, kjo lëvizje nuk ka një objektiv të përcaktuar, gjë që e bën shumë më të vështirë artikulimin e saj politik dhe çdo proces dialogu. Në këtë kuptim, Kikia thekson se situata nuk krijon hapësirë reale për negociata, por përplasje pozicionesh të forta.

“Protesta në aspektin politik, mendoj që është absolutisht një mision shumë i vështirë, sepse ndryshe nga protesta për mbetjet kimike, ndryshe nga protesta për studentët, që ne i referojmë si pika kulmore të ndërgjegjësimit qytetar, kjo protestë nuk ka një kërkesë të caktuar. Armët kimike ishte: ndalo importin, mbaroi.

Te studentët ishte, duam kushte më të mira, jo konvikte, jo auditorë, jo çmime, pra kishte për çfarë të negociohej. Këtu nuk ka negociata; njëra palë thotë “ik ti”, pala tjetër thotë “ik ti”, dhe këtu kur të ulesh në tryezë do ulesh me “nënshkru kapitullimin”. Nuk ka negociatë këtu, nuk ka për çfarë të flitet. Realiteti është vetëm kaq”, tha ai.

Një nga pikat e analizës së tij lidhet me rrezikun e përplasjes së grupeve brenda vetë protestës. Ai shprehet se brenda saj ekzistojnë disa rryma dhe interesa të ndryshme, të paktën 5–6 sipas tij, të cilat në momente të caktuara mund të prishin ekuilibrat dhe të krijojnë tensione.

Kikia paralajmëron se mungesa e një strukture të qartë përfaqësimi, megjithëse deri tani ka shërbyer si mbrojtje ndaj kontrollit politik, mund të kthehet në faktor rreziku nëse këto grupe fillojnë të përplasen mes tyre për ndikim dhe kontroll mbi drejtimin e lëvizjes.

“Protesta mbi të gjitha nuk ka një kokë, një individ apo një grup individësh që mund të flasin. Kjo shihet si handikap; nga ana tjetër, deri tani ka qenë gjë e mirë që e ka shpëtuar protestën si lëvizje, sepse nëse do të ketë një grup individësh që e udhëheqin, atëherë do të kuptojmë që brenda kësaj lëvizjeje nuk është thjesht rreziku, do e joshin, do e shantazhojnë atë grupin e vogël.

Por aty janë 5–6 rryma të paktën që duken qartësisht që janë të përfshira dhe me njëra-tjetrën, që i çikë të prishen ca balanca, fillojnë dhe kërcet. E pamë edhe mbrëmë. Kështu që ky grupi përfaqësues do të duhet të bëjë një kuvend brenda protestës për të nxjerrë përfaqësimin. Deri tani protesta i ka rezistuar çdo lloj tundimi, sepse në grupin përfaqësues tendenca e interferimit të elementeve për ta kontrolluar është e pranishme, se pastaj protesta shndërrohet në një lloj kompanie politike dhe secili që përpiqet të ketë më shumë aksion”, tha gazetari.

Në të njëjtën kohë, Kikia shpreh shqetësimin se protesta mund të shihet si një mjet për karrierë politike dhe për marrjen e pushtetit, çka sipas tij do të ishte skenari më i dëmshëm. Ai thekson se frika për përplasje të brendshme ekziston, por në të njëjtën kohë shpreson që lëvizja të mos devijojë drejt fragmentimit apo konfliktit të brendshëm.

“Ajo që përbën rrezik tashmë për protestën, edhe pse unë s’dua të bëj pjesë te njerëzit që japin këshilla, por përpiqem të kontribuoj maksimalisht në këtë qasje të re, është që nëse protesta shihet si katapultë pushteti, sepse ka tendenca për ta parë që ai që do të ekspozohet më shumë, ai që do të tregojë se ka më shumë kontroll dhe autoritet mbi protestën, është potencialisht edhe pasuesi në pushtet, duke supozuar që Rama sot ose nesër do ikë, në fakt kjo do të jetë gjëja më e dëmshme, sepse pushteti nuk vendoset në bulevard”, tha Kikia.