Ballina Kosovë Kurti në Has vlerëson sakrificën e dëshmorëve

Kurti në Has vlerëson sakrificën e dëshmorëve

114
0

“Qeveria do të jetë mbështesë çdo iniciativë sportive”. Kështu deklaroi kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili mbrëmë i shoqëruar edhe nga ministri në detyrë i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, mori pjesë në natën finale të Turneut Tradicional të Futbollit “Java e Dëshmorëve të Hasit”.

Para të pranishmëve, kryeministri tha se dëshmorët ndodhen në themelet e shtetit tonë dhe në rrënjët e lirisë tonë.

“Për ta përmbyllur finalen e Turneut Tradicional të Futbollit “Java e Dëshmorëve të Hasit” këtu në Kodrën e Pajtimit, s’ka dyshim që është më shumë se një turne sportiv ky në të cilin po marrim pjesë bashkë. Është një akt kujtese, është shprehje mirënjohje, dhe dëshmi që sakrifica e brezave të tërë vazhdon të jetojë në vetëdijen kolektive të shoqërisë e të popullit tonë, dhe ne dëshirojmë t’i promovojmë vlerat e shëndosha edhe për brezat e ri e për ata që do të vijnë pas nesh”, tha kryeministri në detyrë Kurti.

Duke u bërë thirrje rinisë që të merren sa më shumë me sport, kryeministri tha se Qeveria do të jetë pranë tyre për iniciativa sportive dhe jo vetëm.

“Të nderuar organizatorë të “Javës së Dëshmorëve në Has”, dëshmorët ndodhen në themelet e shtetit tonë. Ndodhen në rrënjët e lirisë tonë. Andaj ne ata kurrë nuk i harrojmë, gjithmonë i përkujtojmë sepse amanetet, idealet e tyre, na prijnë drejt së ardhmes, ndërkaq gjaku i tyre është ai i cili na mban të fuqishëm edhe historinë tonë, por edhe të tashmen tonë”, tha Kurti.