Një grup protestuesish vijojnë të qëndrojnë edhe këtë mëngjes përpara Kryeministrisë, pasi kaluan natën në shesh në atë që konsiderohet si përshkallëzimi më i rëndësishëm i protestës që ka hyrë në ditën e saj të 21-të.
Me pjesëmarrje më të gjerë se në ditët e mëparshme, ku iu bashkuan edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora, protestuesit u mblodhën para Kryeministrisë dhe Kuvendit, duke deklaruar se nuk do të largohen deri në plotësimin e kërkesave të tyre, mes të cilave edhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Kjo është hera e parë që nga nisja e protestës që pjesëmarrësit kanë vendosur të qëndrojnë gjatë gjithë natës në shesh.
Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje kundër qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, ndërsa në zonë kanë qenë të pranishme forca të shumta të Policisë së Shtetit. Autoritetet kanë kërkuar lirimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit normal, por deri tani nuk raportohen incidente.







