Policia e Tiranës ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 9 shtetas, të cilët dyshohet se kanë shkelur ligjin duke qëndruar në mënyrë të kundërligjshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pas përfundimit të një tubimi të zhvilluar më 20 qershor 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 22:00, pas përfundimit të protestës, personat e proceduar kanë vijuar qëndrimin në bulevard, duke penguar qarkullimin e automjeteve dhe duke prishur qetësinë publike.
Sipas Policisë, këta shtetas kanë tejkaluar orarin e njoftuar për zhvillimin e tubimit dhe kanë zaptuar hapësirën publike duke vendosur karrige metalike dhe sende të tjera në bulevard.
Autoritetet bëjnë me dije se, pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga efektivët për lirimin e hapësirës dhe respektimin e dispozitave ligjore, personat në fjalë kanë refuzuar të largohen.
Policia njofton se puna vijon për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”.
Njoftimi i plote:
Strukturat e Policisë së Tiranës kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë 9 shtetas, të cilët, pas përfundimit të tubimit të zhvilluar më datë 20.06.2026, rreth orës 22:00, kanë vijuar qëndrimin në mënyrë të kundërligjshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke penguar qarkullimin e automjeteve dhe duke prishur qetësinë publike.
Konkretisht, shtetasit: Sh. G., 32 vjeç, A. G., 56 vjeç, A. B., 25 vjeç, V. K., 28 vjeç, G. K., 30 vjeçe, A. K., 43 vjeç, E. S., 36 vjeç, A. K., 34 vjeç dhe R. Sh., 22 vjeç.
Këta shtetas kanë qëndruar në tejkalim të orarit të njoftuar për zhvillimin e tubimit, si dhe kanë zaptuar hapësirën publike, duke vendosur karrige metalike dhe sende të tjera në bulevard.
Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë për lirimin e hapësirës së zënë dhe respektimin e dispozitave ligjore, ata kanë refuzuar të largohen dhe kanë vijuar qëndrimin në këtë zonë.
Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë përgjegjës për veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”.







