Ballina Politika “Zonjat e Rilindjes” të tronditura për gjuhën e urrejtjes, por harrojnë të...

“Zonjat e Rilindjes” të tronditura për gjuhën e urrejtjes, por harrojnë të shohin se si po e mbjell Edi Rama

74
0

Një valë e papritur iluminizmi dhe tundimi moral ka përfshirë radhët e grave të Partisë Socialiste. Teksa lideri i tyre suprem, Edi Rama, këto ditë edhe më shumë po e perfeksionon artin e përçarjes, duke i etiketuar protestuesit, opozitarët dhe këdo që mendon ndryshe me terma që variojnë nga “të paditur” e “shpellarë” deri te “kazanë”, deputetet e tij sapo kanë zbuluar se në Shqipëri paska “gjuhë urrejtjeje”.

Me një koordinim që të kujton periudhat më të mira të aksionit të përqendruar, deputetja Evis Kushi dhe ish-kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kanë shpërthyer në dënesa publike për humbjen e qytetarisë.

Sipas zonjës Kushi, bota virtuale qenka kthyer në një ferr ku debati zëvendësohet me dhunë verbale. Ajo shprehet plot patos: “Kur debati politik zëvendësohet nga urrejtja, atëherë jo vetëm që humbet demokracia, por dobësohet edhe vetë shoqëria.” Sa prekëse! Është vërtet e jashtëzakonshme sesi kjo ndjeshmëri e lartë dritësohet pikërisht tani, duke harruar se pikërisht nga foleja e partisë së saj rregullisht anatemohen dhe denigrohen qytetarët që guxojnë të ngrenë zërin kundër pushtetit. Kushi na kujton se “dehumanizimi i kundërshtarit nuk është as demokraci dhe as patriotizëm”, por harron të na tregojë nëse kjo rregull vlen edhe kur Kryeministri përdor të njëjtin dehumanizim ndaj kujtdo që i del përpara.

Nga ana tjetër, Lindita Nikolla mban të njëjtin qëndrim pothuajse të kopjuar, duke deklaruar se protesta “nuk mund të shndërrohet në justifikim për fyerje, bullizim, linçim publik apo sulme ndaj kujtdo që mendon ndryshe”. Sa ironike, që linçimi publik u bëka i dënueshëm vetëm kur bëhet nga poshtë-lart (nga qytetarët drejt pushtetarëve), ndërsa kur makineria e propagandës qeveritare linçon analistë, gazetarë e protestues, kjo quhet thjesht “komunikim me popullin”.

Nikolla shton se “demokracia nuk matet vetëm nga liria për të folur, por edhe nga mënyra se si zgjedhim ta përdorim atë liri”. Dhe me sa duket, sipas moralit socialist, mënyra më e mirë për ta përdorur këtë liri është të mbyllësh sytë përpara fyerjeve dhe sulmeve arrogante të shefit të qeverisë, dhe të hysh në shok ekzistencial vetëm kur rrjeti u kthen përgjigje me të njëjtën monedhë.

Zonjat kërkojnë që “njerëzit të gjykohen për veprat dhe qëndrimet e tyre, por jo të sulmohen për t’i poshtëruar”. Një këshillë e shkëlqyer, të cilën do të bënin mirë t’ia recitonin në mbledhjen e radhës së grupit parlamentar njeriut që e ka kthyer poshtërimin e kundërshtarit në strategji politike. Deri atëherë, ky shqetësim i tyre i papritur nuk është gjë tjetër veçse një shfaqje cinike hipokrizie, ku urrejtja të vret vetëm kur të drejtohet ty, por të shijon kur e përdor për të mbajtur pushtetin./vna