Ballina Politika Spiropali sfidon Ramën: Algoritmet, haluçinacionet, fletë-rrufetë…s’më frigojnë

Spiropali sfidon Ramën: Algoritmet, haluçinacionet, fletë-rrufetë…s’më frigojnë

54
0

Ish-ministrja e Jashtme Elisa Spiropali, ka reaguar pas sulmeve të ditëve të fundit në rrjetet sociale, të dirigjuara nga Rama, i cili e sulmoi vetë në mbledhjen e zgjeruar me deputetët dhe ministrat për shkak të qëndrimeve të saj kundër qëndrimeve politike të kryeministrit.

Spiropali ka thumbuar Ramën dhe ushtrinë e tij të patronazhistëve përmes një postimi në FaceBook, ku ka publikuar një mesazh me tone ironike dhe një poezi të poetes së njohur Anna Ahmatova.

Spiropali shigjeton deputetët, përfaqësuesit e PS në Shkodër dhe kritikëve të të tjerë të ndërsye duke shkruar: “Kur t’ju merren mënd’ e t’ju përzihet nga fletë-rrufetë, sulmet banale, monitorimi digjital e operacional, kontrolli algoritmik, konspiracionet halucinante, gjuha e shthurur, lexoni këtë kryevepër të Anna Ahmatovës”.

Më tej, ajo kujtoi përvjetorin e lindjes së poetes Ahmatova, duke ndarë me ndjekësit poezinë e saj, e cila flet për forcën përballë sulmeve dhe vështirësive.

Pa përmendur emra konkretë, ish-ministrja le të kuptohet se i konsideron këto sulme si të nxitura dhe të mbështetura nga mekanizma të organizuar të komunikimit politik.

Përmes vargjeve të Ahmatovës, Spiropali le të kuptohet se kritikat dhe sulmet nuk e kanë dobësuar, por përkundrazi e kanë forcuar, duke i krahasuar ato me “gurët” mbi të cilët ndërtohet një kullë e fortë dhe e qëndrueshme.

Postimi i Spiropalit:

Mirëmëngjes

Kur t’ju merren mënd’ e t’ju përzihet nga fletë-rrufetë, sulmet banale, monitorimi digjital e operacional, kontrolli algoritmik, konspiracionet halucinante, gjuha e shthurur, lexoni këtë kryevepër të Anna Ahmatovës, që lindi si sot, më 1889.

Kaq shumë gurë hodhën përmbi mua

Sa sot asnjë prej tyre s’më frigon,

Me ta një kullë e hijshme u ndërtua,

M’e lartë se çdo kullë ajo qëndron.

Ndërtuesit e saj falënderoj,

Paçka se e ndërtuan me nxitim.

Prej saj më shpejt agimin e shijoj

Dhe diellin kqyr me gjatë në perëndim.

Dhe në dritaren time ditë për ditë,

Fryn erë deti, më flladit.

Në dorën time pëllumbi vjen e çukit,

E në mos mund të shkruaj më diçka,

Një ditë të perëndishme krahëlehtë,

Pres të vijë Muza, për ta shkruar vetë.