Ballina Aktualitet Goditje për Vettingun nga Strasburgu: Shkarkimi i Gentian Osmanit shkeli Konventën Europiane

Goditje për Vettingun nga Strasburgu: Shkarkimi i Gentian Osmanit shkeli Konventën Europiane

74
0

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka konstatuar shkelje në procesin e Vettingut ndaj ish-prokurorit të Krimeve të Rënda, Gentian Osmani, duke i dhënë atij të drejtë në padinë e ngritur kundër shtetit shqiptar.

Sipas vendimit të publikuar nga GJEDNJ, shkarkimi i Osmanit nga detyra ka cenuar nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili garanton të drejtën për respektimin e jetës private. Gjykata vlerësoi se masa e marrë ndaj ish-prokurorit ishte joproporcionale në raport me problematikat e konstatuara gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar.

Gjykata e Strasburgut arriti në përfundimin se çështja lidhej vetëm me mënyrën e deklarimit të disa kursimeve familjare në vitet 2011 dhe 2013, dhe jo me ekzistencën e pasurive të pajustifikuara apo të ardhurave me burim të paligjshëm.

Gentian Osmani u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit në vitin 2019, pas ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili më herët e kishte konfirmuar në detyrë.

Në kohën e procesit të Vettingut, Osmani ushtronte detyrën e prokurorit në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ishte gjithashtu pjesë e listës së kandidatëve për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Vendimi i Strasburgut pritet të rikthejë në qendër të debatit mënyrën e zbatimit të procesit të Vettingut në Shqipëri, ndërsa ngre pikëpyetje mbi proporcionalitetin e masave disiplinore të marra në raste të ngjashme.

Po ashtu Strasburgu ka rrëzur Vettingun edhe për dy ish-prokurorin, Ferdinand Elezin dhe ish-gjyqtarin, Izet Kadana.