Ballina Kulturë Juristja që dashuroi taksistin

Juristja që dashuroi taksistin

58
0

Nga Albert Zholi 

-tregim-

Matilda ishte studente e vitit të pestë në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë. E zgjuar, këmbëngulëse dhe me ëndrra për t’u bërë një avokate e njohur, ajo jetonte mes librave të ligjit dhe ëndrrës për drejtësi. Çdo mëngjes, në të njëjtën orë, një taksi e bardhë ndalonte poshtë pallatit të saj. Shoferi quhej Ardi. Nuk kishte studiuar në universitete të mëdha, por kishte mbaruar shkollën e jetës. Fliste pak, por kur fliste, fjalët i kishte të peshuara. Në fillim bisedat ishin të zakonshme: për trafikun, për motin, për provimet. Por me kalimin e muajve, mes tyre lindi një afërsi e çuditshme. Ardi e dëgjonte me vëmendje kur ajo fliste për padrejtësitë, për ëndrrën për të mbrojtur të varfrit në gjyq. Ai e shikonte me admirim, si të ishte diçka e brishtë dhe e fortë njëkohësisht. Një mbrëmje, familja e Matildës i prezantoi Leonin – një inxhinier i ri, i diplomuar jashtë, me kostum të shtrenjtë dhe makinë luksoze. Ishte “zgjedhja perfekte”, sipas prindërve. I qetë, me perspektivë, me status.
– “Me Leonin do jesh e sigurt,” i tha i ati.
– “Dashuria vjen më vonë,” shtoi e ëma. Por zemra e Matildës nuk rrihte për siguri. Rrihte për Ardin. Debatet në shtëpi u bënë të ashpra.
-“Një shofer taksie?” — bërtiti i ati.
-“Ti je studente juridiku, jo për të ulur kokën pas timonit!” Matilda qante në heshtje, por nuk tërhiqej. Ajo e dinte që ligji që studionte fliste për barazi, për dinjitet, për të drejtën për të zgjedhur. Si mund të pranonte një martesë pa dashuri, kur vetë besonte tek liria?
Debati me shoqen…
Një pasdite, Matilda ishte ulur në një kafene pranë fakultetit në Tiranë me shoqen e saj më të ngushtë, Joridën. Kishin ndarë gjithçka bashkë: netët pa gjumë para provimeve, sekretet e dashurisë së parë, ëndrrat për karrierë. Por këtë herë, biseda ishte ndryshe. Jorida e shikoi drejt në sy, me një vështrim të ashpër. – “Matilda, a e mendon veten mes nesh… me një shofer taksie në krah? A e imagjinon veten në një darkë me kolegët, me gjyqtarë e prokurorë, dhe ai të thotë se çfarë rruge bëri sot?” Fjalët ranë si gurë. Matilda mbajti frymën. -“Po çfarë ka profesioni i tij?” -“Ka gjithçka!” -ia ktheu Jorida.- “Ne po bëhemi juriste, do hyjmë në botë tjetër. Do flasim për çështje ligjore, për kontrata, për politika. Çfarë do bëjë ai mes nesh? Do ndihet i huaj. Do ndihesh ti e turpëruar.” Matilda uli sytë për një çast. Jo nga turpi, por nga zhgënjimi. — “E di çfarë është turp?” -foli ajo qetë. – “Turp është të gjykosh një njeri nga timoni që mban në dorë, jo nga zemra që ka në kraharor. Ai më respekton. Më mbështet. Më dëgjon. Sa prej atyre ‘inxhinierëve’ apo ‘juristëve’ e bëjnë këtë?”Jorida tundte kokën. -“Dashuria nuk mjafton, Matilda. Shoqëria është e ashpër.”
– “Ligjin që studiojmë e kam mësuar për të mbrojtur dinjitetin e njeriut,” – u përgjigj Matilda me zë të prerë. – “Nëse nuk e zbatoj në jetën time, ç’vlerë ka diploma?” Në tavolinë ra heshtje. Jorida psherëtiu: -“Unë kam frikë për ty.” Matilda buzëqeshi lehtë. – “Unë kam frikë vetëm nga një gjë: të jetoj jetën që duan të tjerët për mua.” Ajo u ngrit, pagoi kafenë dhe doli jashtë. Në rrugë, një taksi e bardhë ndaloi pranë saj. Ardi hapi xhamin dhe buzëqeshi. Në atë moment, Matilda e kuptoi se debati nuk ishte mes saj dhe shoqes. Ishte mes zemrës dhe paragjykimit. Dhe ajo tashmë kishte zgjedhur. Kur shkoi në shtëpi i njëjti presion dhe nga prindërit. Atë natë, pas një debati të fortë, mblodhi disa rroba në një çantë. Zbriti shkallët pa zhurmë. Ardi po e priste në makinë, pa bërë pyetje.
-“Je e sigurt?” – e pyeti ai me zë të ulët. Prindërit, shoqëria, profesioni..- “Për herë të parë në jetë, po jam” -u përgjigj ajo me zë të fortë.
Ata nisën bashkëjetesën në një apartament të vogël me qira. Nuk kishte luks, por kishte buzëqeshje të sinqerta. Matilda vazhdoi studimet, ndërsa Ardi punonte ditë e natë. Kur ajo diplomoi, ai ishte në rreshtin e parë, me një tufë lulesh të thjeshta në dorë. Familja e saj nuk foli për muaj të tërë. Por koha zbut gjithçka. Kur Matilda hapi zyrën e saj të parë si avokate, emri në derë shkëlqente: “Matilda Hoxha – Avokate”. Në krah të saj qëndronte Ardi, jo si shofer taksie, por si njeriu që i kishte dhënë kurajë të zgjidhte zemrën. Sepse ndonjëherë, drejtësia më e madhe është ajo që i bëjmë vetes.