Deputetja e Partisë Demokratike dhe Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, Ina Zhupa ka reaguar lidhur me ndërhyrjen në Banjat e Bënjës, duke i cilësuar ato si një shkatërrim të një prej pasurive natyrore dhe turistike më të çmuara të vendit.
Në postimin e saj në rrjetet sociale, Zhupa ka publikuar video nga betonizimi dhe shkatërrimi dhe shprehet se po shpenzohen rreth 2 milionë euro fonde publike për një projekt që po dëmton ekosistemin dhe identitetin natyror të zonës.
Sipas saj kjo është hera e dytë që qytetarët paguajnë për ndërhyrje në Bënjë, pasi edhe investimi i mëparshëm, me vlerë rreth 200 mijë euro, rezultoi i pasuksesshëm.
Zhupa kërkon transparencë dhe përgjegjësi për përdorimin e fondeve publike, duke theksuar se Banjat e Bënjës kanë nevojë për mbrojtje dhe menaxhim të kujdesshëm, jo për betonizim dhe ndërhyrje që rrezikojnë të dëmtojnë një pasuri të pazëvendësueshme natyrore.







