Ballina Politika Ambicia e Fatmir Xhafajt për të marrë nën kontroll raportimet e institucioneve...

Ambicia e Fatmir Xhafajt për të marrë nën kontroll raportimet e institucioneve të drejtësisë nuk mbështetet te Rregullorja e Kuvendit

61
0

Prej ditësh po zhvillohet një debat mbi përpjekjen e Fatmir Xhafajt për të marrë nën kontroll raportimet e institucioneve të drejtësisë, përfshirë edhe SPAK-un, përmes Komisionit të Posaçëm që ai drejton. Por një lexim i Rregullores së Kuvendit tregon se kompetencat e këtij komisioni janë shumë më të kufizuara nga sa pretendohet.

Neni 18 i Rregullores së Kuvendit përcakton se komisionet e përhershme shqyrtojnë, sipas përkatësisë, projektligjet, projektvendimet, kontrollojnë veprimtarinë e institucioneve dhe propozojnë projektligje, projektvendime dhe projekt-rezoluta. Pra, vetë Rregullorja e ndan qartë objektin e punës së komisioneve sipas fushës së përgjegjësisë së secilit.

Komisioni që drejtohet nga Fatmir Xhafaj nuk e ka në objekt të veprimtarisë së tij shqyrtimin apo miratimin e rezolutave.

Përkundrazi, objekti i tij është i përcaktuar qartë: monitorimi dhe mbikëqyrja e zbatimit të strategjive, rezolutave, vendimeve dhe planeve të veprimit të Kuvendit.

Kjo do të thotë se, për sa u përket rezolutave, Komisioni Xhafaj ka vetëm detyrën të ndjekë zbatimin e tyre. Ai nuk harton rezoluta, nuk shqyrton projekt-rezoluta dhe nuk ka kompetencë t’i propozojë ato.

Pikërisht për këtë arsye ngrihen pikëpyetje mbi pretendimin që raportimet e institucioneve të drejtësisë, në periudhën kur Kuvendi harton rezolutat e tij vjetore, të kalojnë përmes këtij komisioni. Sipas Rregullores së Kuvendit, asnjë institucion nuk ka detyrim të raportojë gjatë kësaj periudhe pranë një komisioni që nuk e ka në objekt të detyrave të veta shqyrtimin e rezolutave.

Nëse Rregullorja i jep Komisionit Xhafaj vetëm kompetencën për të monitoruar zbatimin e rezolutave pasi ato janë miratuar, atëherë pretendimi për të administruar raportimet e institucioneve të drejtësisë, përfshirë SPAK-un, në fazën e hartimit të rezolutave, nuk gjen mbështetje në kompetencat që i njeh vetë Rregullorja.

Me pak fjalë, Rregullorja i jep këtij komisioni të drejtën të ndjekë zbatimin e rezolutave, jo t’i shkruajë ato dhe as të marrë në administrim procesin e raportimit të institucioneve që lidhet me hartimin e tyre. Xhafaj vetëm ndjek. Për kaq mund të stërvitet./vna