Ballina Politika Ja pasuria e familjes së Edi Ramës në vitin 2025, kryeministri deklaron...

Ja pasuria e familjes së Edi Ramës në vitin 2025, kryeministri deklaron 100 mijë euro të ardhura jashtë page, Linda…

46
0

Deklarimi më i fundit i pasurisë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave hedh dritë mbi të ardhurat dhe lëvizjet financiare të familjes së kryeministrit Edi Rama gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave zyrtare, kreu i qeverisë ka përfituar mbi 14.3 milionë lekë të ardhura neto përgjatë vitit.

Nga kjo shumë, 3,402,084 lekë burojnë nga paga si kryeministër për periudhën janar–dhjetor, ndërsa pjesa më e madhe, rreth 10.9 milionë lekë, është deklaruar në kategorinë “të ardhura të tjera”. Kjo kategori nuk shoqërohet me një përshkrim të detajuar në ekstraktin publik, por lidhet me aktivitetet jashtë funksionit zyrtar. Duke qenë se Edi Rama njihet edhe për angazhimin e tij në art dhe ekspozita ndërkombëtare, këto të ardhura mendohet të jenë gjeneruar nga veprimtaria artistike. Gjatë vitit, ai ka shtuar edhe një llogari bankare me vlerë 349,544 lekë, e krijuar nga të ardhurat nga paga.

Investimet dhe të ardhurat e Linda Ramës

Bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama, ka raportuar një rritje të konsiderueshme në vlerën e një pasurie të paluajtshme në pronësi të saj. Sipas deklarimit, bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 118 metrash katrorë, vlera e së cilës është rritur me 19,296,477 lekë, me burim të deklaruar të ardhurat.

Gjatë vitit 2025, ajo ka realizuar të ardhura neto në vlerën 6,699,149 lekë nga punësimi, aktivitetet profesionale dhe të ardhurat nga qiradhënia. Në të njëjtën kohë, evidentohet një ulje e gjendjes cash me 10 mijë lekë, si dhe pakësim i një llogarie bankare me 1,964,873 lekë. Sa i përket detyrimeve financiare, Linda Rama ka marrë një kredi të re bankare prej 5 milionë lekësh, me afat shlyerjeje deri në vitin 2035. Në fund të vitit 2025, detyrimi i mbetur nga kjo kredi është 4.74 milionë lekë. Gjithashtu, ajo ka vijuar shlyerjen e një kredie ekzistuese në euro, duke paguar gjatë vitit 23,223 euro, ndërsa detyrimi i mbetur rezulton 173,766 euro.

Ndryshime në pasurinë e djalit

Deklarimi familjar përfshin edhe të dhëna mbi pasurinë e djalit të çiftit Rama. Sipas dokumenteve, ai ka ulur gjendjen cash me 2,500 euro, ndërsa ka shtuar një depozitë bankare me 8,297 euro, të krijuar nga të ardhurat personale. Gjithashtu, evidentohet një pakësim i fondeve të investimit me 16,445 euro. Ndërkohë, të ardhurat neto të realizuara prej tij gjatë vitit 2025 arrijnë në 1,083,258 lekë.

Pasuria në lëvizje gjatë vitit 2025

Të dhënat tregojnë se familja Rama ka pasur një vit me lëvizje të ndjeshme në të ardhura, investime dhe detyrime financiare. Pjesa më e madhe e të ardhurave të kryeministrit mbetet e kategorizuar si “të ardhura të tjera”, pa një specifikim të detajuar në dokumentin publik. Në tërësi, deklarimi pasuror reflekton një strukturë të diversifikuar të të ardhurave dhe angazhimeve financiare, duke përfshirë paga, aktivitete profesionale, investime në prona dhe detyrime bankare afatgjata.

Detajet

Midis vitit 2013 dhe vitit 2023, pasuria e familjes Rama, e qarkulluar në asete dhe llogari bankare, përllogaritet për të gjitha vitet së bashku të ketë arritur shifrën e 2.5 milionë eurove. Pra, vetëm brenda 10 viteve të fundit, Edi Rama ka pasur një qarkullim prej 2.5 milionë eurosh, apo rreth dyfish më shumë se pasuria e deklaruar në vitin 2013. Viti më i rëndësishëm financiar për familjen Rama, është 2023, ku qarkullimi financiar në asete dhe llogari bankare, kap shifrën totale e rreth 680 mijë euro. Zëri kryesor i pasurisë së familjes kryeministrore për vitin 2023, është blerja e një apartamenti nga Linda Rama.

Apartamenti ka sipërfaqe 107 m2 me vendndodhje në zemër të Bllokut. Vlera e deklaruar e blerjes së apartamentit është 429 mijë euro, apo rreth 4 mijë euro për metër katror. Ndërsa pagesa është bërë në dy këste, një në vitin 2023 dhe një këste do paguhej brenda verës së vitit 2024. Në vitin 2019, bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama, deklaron edhe blerjen e një sipërfaqe trualli prej 80 m2. Vlera e kësaj sipërfaqe është deklaruar në ILDKPI për vetëm 3 milion lekë, në zemër të bllokut. Në deklaratën e vitit 2019, Linda Rama nuk e deklaron vendndodhjen e kësaj pasurie.

Por e zbulon në vitin 2021, kur deklaron se trualli është blerë në rrugën “Vaso Pasha”. Sipas llogarive, Linda Rama deklaron se ka blerë 80 m2 truall në Bllok për një çmim 375 euro, në një kohë që sipërfaqja e truallit në Bllok është shumë më shumë se sa çmimi që e ka blerë Linda Rama. Këto të dhëna ngrenë dyshime të forta për mos deklarim real të çmimit, ndaj i mbetet organeve përkatëse të zbulojnë të vërtetën.

Gjithashtu, Linda Rama ka blerë edhe një sipërfaqe ullishte në Surrel, pranë banesës, prej 781 m2, me vlerë 39 mijë euro. Të ardhurat e deklaruara të saj për vitin 2023 janë në total 120 mijë euro, apo shumë më të ulëta se shpenzimet e kryera për blerjen e pasurive të paluajtshme. Gjatë vitit 2013 deri në vitin 2023, Linda Rama ka shtuar rreth 6 mijë metra katror truall dhe ullishtë pranë banesës familjare në Surrel.

Në total, sot sipërfaqja e pronës në Surrel kap afërsisht 10 mijë metra katror. Përgjatë kësaj periudhe, Linda Rama ka deklaruar blerje toke çdo vit me çmim mesatar prej 50 euro për metër katror. Blerja me këtë çmim, shton një tjetër dyshim në pasurinë e kryeministrit dhe familjes së tij, pasi nga një hulumtim në agjencitë imobiliare, rezulton se toka të ngjashme si ato që ka blerë bashkëshortja e kryeministrit midis vitit 2013-2023, shiten minimalisht me çmim 80 euro për metër katror dhe maksimalisht me 180 euro për metër katror, pra shumë më i lartë se ajo i deklaruar Linda Rama.