Ballina Bota Dy stuhi tropikale i afrohen Japonisë, anulohen mbi 100 fluturime dhe urdhërohen...

Dy stuhi tropikale i afrohen Japonisë, anulohen mbi 100 fluturime dhe urdhërohen evakuime

107
0

Më shumë se 100 fluturime janë anuluar në Japoni, ndërsa dy stuhi tropikale po i afrohen arkipelagut japonez, duke detyruar autoritetet të paralajmërojnë evakuime në disa zona për shkak të rrezikut të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.

Tajfuni Mekhala, me erëra që arrijnë deri në 144 kilometra në orë sipas meteorologëve, pritet të godasë rajonin brenda pak orësh. Ndërkohë, reshje të dendura shiu tashmë kanë përfshirë pjesë të Japonisë jugore dhe perëndimore, duke rritur shqetësimet për situatën.

Sipas parashikimeve, stuhia pritet të lëvizë përgjatë ishujve Kyushu dhe Shikoku gjatë fundjavës, ndërsa ekziston mundësia që më pas të bashkohet me një tjetër stuhi tropikale, Higos, e cila ndodhet më larg në Oqeanin Paqësor.

Nëse bashkimi i dy stuhive ndodh, meteorologët paralajmërojnë për një fenomen të njohur si “Fujiwara”, i cili mund ta bëjë shumë të vështirë parashikimin e drejtimit dhe intensitetit të sistemit të motit.

Ndërkohë, kompanitë ajrore Japan Airlines dhe All Nippon Airways kanë anuluar përkatësisht 70 dhe 50 fluturime nga dhe drejt prefekturave Okinawa dhe Kagoshima.

Në prefekturën e Kiotos janë lëshuar rekomandime për evakuimin e mijëra banorëve, për shkak të frikës nga rrëshqitjet e dheut, ndërsa në Kioto dhe Osaka autoritetet kanë raportuar rritje të nivelit të ujit në lumenj dhe rrezik për përmbytje.

Ushtria japoneze ka anuluar gjithashtu një fluturim të planifikuar të avionëve V-22 Osprey drejt ishullit Miyako, në kuadër të ushtrimeve të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara, sipas agjencisë Kyodo.