Pamje të publikuara nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin dramatik kur një rrufe goditi shatërvanin multimedial pranë Hollit së Njëqindvjetorit në qytetin Wrocław, në Poloni, ndërsa pranë tij po luanin dhjetëra fëmijë. Ngjarja ndodhi të shtunën, më 20 qershor, por pamjet u bënë publike të enjten.
Pavarësisht goditjes së fuqishme, askush nuk mbeti i lënduar. Sipas administratës së Hollit së Njëqindvjetorit, rrufeja shkaktoi dëme të konsiderueshme në sistemin e shatërvanit, duke detyruar autoritetet të anulojnë të gjitha shfaqjet e planifikuara të dritave dhe efekteve multimediale deri në përfundimin e riparimeve.
Zëdhënësi i institucionit deklaroi për mediat vendase se ngjarja mund të kishte pasur pasoja shumë më të rënda. Ai theksoi se ishte “fat i jashtëzakonishëm” që rrufeja u përthith nga struktura e shatërvanit dhe nuk preku njerëzit që ndodheshin pranë tij.
Incidenti ndodhi në një periudhë kur një pjesë e madhe e Europës po përballet me temperatura rekord dhe mot ekstrem. Meteorologët paralajmërojnë se valët e të nxehtit rrisin paqëndrueshmërinë atmosferike, duke favorizuar shfaqjen e stuhive të forta dhe goditjeve të rrufesë në shumë rajone të kontinentit.







