Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, mori pjesë sot në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga International Republican Institute (IRI) me temë “Countering Authoritarian Influence”, ku ishin të pranishëm politikanë, ekspertë të sigurisë dhe përfaqësues nga vendet e rajonit.
Tabaku mbajti një fjalim të fokusuar tek mënyra se si demokracitë mund të ndërtojnë rezistencë ndaj ndërhyrjeve të huaja dhe autoritarizmit, duke theksuar se sfida nuk nis jashtë kufijve, por nga dobësitë e brendshme të shtetit.
“Nuk janë vetëm aktorët e jashtëm problemi. Ndërhyrja e huaj funksionon vetëm aty ku institucionet janë të dobëta, ku korrupsioni tolerohet, ku mungon transparenca dhe ku qytetarët humbasin besimin tek shteti,” u shpreh Tabaku.
Duke iu referuar situatës në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, deputetja demokrate argumentoi se korrupsioni, pastrimi i parave, krimi i organizuar dhe kapja e shtetit nuk janë më vetëm çështje të qeverisjes së mirë, por përbëjnë tashmë rreziqe të drejtpërdrejta për sigurinë kombëtare.
Sipas saj, ekonomitë e hapura nuk duhet të jenë ekonomi të pambrojtura.
“Siguria ekonomike është siguri kombëtare. Siguria energjetike është siguri kombëtare. Siguria teknologjike është siguri kombëtare. Po kështu edhe transparenca financiare,” theksoi Tabaku, duke nënvizuar se demokracitë duhet të ndërtojnë mekanizma që parandalojnë krijimin e varësive strategjike.
Në këtë kuadër, Tabaku prezantoi dy nga nismat që ka mbështetur gjatë punës së saj parlamentare.
E para lidhet me krijimin e një kuadri modern për shqyrtimin e investimeve të huaja strategjike (FDI Screening), i cili do t’i mundësonte Shqipërisë të kontrollojë investimet në sektorët kritikë si infrastruktura, energjia, telekomunikacioni, portet, të dhënat dhe teknologjitë strategjike.
Sipas saj, ky mekanizëm nuk synon të pengojë investimet, por të garantojë që hapja ekonomike të mos kthehet në një cenueshmëri strategjike.
Po ashtu, Tabaku theksoi rëndësinë e paketës së saj të propozuar kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, e cila përfshin rritjen e transparencës mbi pronësinë përfituese të kompanive, kontroll më të fortë të transaksioneve të mëdha financiare, transparencë në prokurimet publike dhe masa për të penguar hyrjen e kapitaleve të paligjshme në sektorët strategjikë të ekonomisë.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës iu kushtua edhe rolit të teknologjisë në konkurrencën gjeopolitike globale. Tabaku argumentoi se inteligjenca artificiale, infrastruktura digjitale, të dhënat dhe teknologjitë e avancuara janë bërë tashmë elementë të fuqisë kombëtare dhe se Shqipëria duhet të investojë në ndërtimin e institucioneve që tërheqin investime të besueshme dhe nxisin inovacionin.
Në përfundim të fjalës së saj, Tabaku u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të gjykojnë vendet e rajonit mbi zbatimin konkret të reformave dhe jo mbi premtimet, ndërsa u kërkoi ligjvënësve të Ballkanit Perëndimor që luftën kundër pastrimit të parave, transparencën e pronësisë përfituese dhe kontrollin e investimeve strategjike t’i trajtojnë si instrumente për mbrojtjen e sovranitetit të vendeve të tyre.
“Ndërhyrja e huaj tërhiqet nga dobësia. Përgjigjja më e fortë që mund të japë një demokraci është ndërtimi i rezistencës përmes transparencës, shtetit të së drejtës, llogaridhënies dhe besimit të qytetarëve tek institucionet”, përfundoi Tabaku.







