Ballina Kulturë Trashëgimia islame e gdhendur në veprat më të famshme të Gaudít

Trashëgimia islame e gdhendur në veprat më të famshme të Gaudít

66
0

Viti 2026 shënon një shekull nga vdekja e arkitektit vizionar katalanas Antoni Gaudí. Ai vdiq pasi u godit nga një tramvaj në qendër të Barcelonës në qershor të vitit 1926, jo larg Sagrada Famílias, bazilikës së tij madhështore, e cila,pavarësisht se ende është në ndërtim, dominon horizontin e qytetit dhe së fundmi u bë kisha më e lartë në botë.

Vitin e ardhshëm, 2027, do të shënohet edhe 10-vjetori i një tragjedie tjetër. Me 17 gusht të vitit 2017, terroristë që i ishin betuar për besnikëri Shtetit Islamik përplasën një automjet përgjatë bulevardit këmbësor të Las Ramblas, një prej rrugëve kryesore të Barcelonës, duke vrarë 14 persona. Ata u shtynë, të paktën pjesërisht, nga dëshira për të rikthyer sundimin mysliman mbi Spanjën.

Por këta terroristë spanjollë myslimanë, në fakt, sulmuan një pjesë të së kaluarës myslimane të vetë Spanjës. Emri Las Ramblas vjen nga fjala arabe raml, që do të thotë “rërë”. Përpara se të urbanizohej, Las Ramblas ishte një wadi, një shtrat i tharë lumi.

Megjithatë, plani fillestar i sulmuesve ishte të vendosnin bomba në Sagrada Família të Gaudít. Kjo do të kishte pasur një ironi të ngjashme me sulmin ndaj Las Ramblas. Edhe pse ishte një i krishterë i devotshëm, Gaudí përdori motive islame në të gjithë arkitekturën e tij, përfshirë Casa Vicens dhe Park Güell, të cilat janë zbukuruar gjerësisht me pllaka në stilin maur, të njohura në spanjisht si azulejo, një fjalë që rrjedh nga arabishtja al-zalij.

Bombat nuk shpërthyen kurrë, sepse terroristët ndërtuan pajisje shpërthyese me defekt, të cilat përfunduan duke shkatërruar strehën e tyre në qytetin e vogël bregdetar Alcanar, në kufirin mes Katalonjës dhe Valencias. Edhe këtu përsëritet i njëjti model: “al”, që në arabisht do të thotë “i” ose “e”, gjendet në emrat e panumërt të qyteteve dhe fshatrave spanjolle.

Qoftë arkitektët që ndërtojnë apo terroristët që shkatërrojnë, si sulmet terroriste të vitit 2017, ashtu edhe arkitektura njëqindvjeçare e Gaudít, janë një kujtesë e lidhjes së ngushtë të Spanjës me botën myslimane.

Një lidhje e thellë

Spanja ka lidhje të thella historike me Azinë Jugperëndimore dhe Afrikën e Veriut, rajoni i njohur historikisht si bota myslimane. Për pjesën më të madhe të historisë, kjo afërsi ishte rezultat i gjeografisë, pasi Spanja ndahet nga Maroku vetëm nga Ngushtica e Gjibraltarit.

Historia e përbashkët e këtyre rajoneve nisi në vitin 711, kur ushtritë myslimane të udhëhequra nga Tariqibn Ziyad zbarkuan në Gjibraltar, në jug të Spanjës. Ashtu si në shumë vende të tjera të Spanjës, pushtuesit myslimanë i dhanë vendit të zbarkimit emrin që mban edhe sot,Jabalal-Tariq, ose “Mali i Tariqut”, që me kalimin e kohës u shndërrua në Gjibraltar. Edhe pse sundimi mysliman përfundoi zyrtarisht në vitin 1492, rezistenca e krishterë, e njohur si Reconquista ose “Ripushtimi”, u zhvillua me ndërprerje gjatë tetë shekujve, duke nisur me Betejën e Covadongës në vitin 722.

Spanja ka gjithashtu një lidhje të fortë fetare me Lindjen e Mesme, përtej lidhjes biblike me Jerusalemin dhe zonat përreth. Shenjtori mbrojtës i Spanjës, Shën Jakobi Apostull, i varrosur në Santiago de Compostela, thuhet se predikoi në të gjithë Gadishullin Iberik pasi udhëtoi nga Mesdheu Lindor.

Kjo histori e përbashkët i jep Spanjës një pozitë të veçantë në sytë e fundamentalistëve islamikë. Lorenzo Vidino, ekspert për kërcënimin terrorist në rajon, e përmblodhi këtë pas sulmeve të vitit 2017:

“Trashëgimia islame e Spanjës… e bën atë një objektiv të përhershëm dhe nuk është thjesht një faktor simbolik për organizata si ISIS-i, që kanë si qëllim kryesor politik rikthimin e kalifatit historik islamik në kufijtë e tij të dikurshëm. Referencat ndaj al-Andalusit, mbretërisë myslimane në Spanjë që mori fund në vitin 1492, janë të kudondodhura në propagandën jo vetëm të ISIS-it, por pothuajse të çdo grupi xhihadist (veçanërisht atyre në Afrikën e Veriut) që synon të rimarrë tokat e humbura myslimane.”

Ndikimet myslimane te Gaudí

Në Andaluzi, ku myslimanët sunduan nga viti 711 deri në 1492, nuk është për t’u habitur që arkitektura moderne është frymëzuar nga e kaluara islame. Rajoni u sundua nga myslimanët për një periudhë më të gjatë sesa ka qenë pjesë e Spanjës së bashkuar të Mbretëreshës Izabela, e krijuar në vitin 1492.

Barcelona, megjithatë, nuk ishte kurrë vërtet nën sundimin mysliman. Më afër kësaj arriti në vitin 985, kur u plaçkit nga gjenerali mysliman al-Mansur.

Kjo e bën edhe më befasues faktin që Gaudí e solli botën myslimane në veprat e tij. Për më tepër, përdorimi prej tij i motiveve dhe teknikave maure nuk ishte një imitim i identitetit andaluzian apo rajoneve të tjera spanjolle. Përkundrazi, ai i zhvilloi ato për të krijuar stilin e tij unik, të çmuar dhe qartësisht katalanas të Art Nouveau. Kjo shihet qartë në disa nga ndërtesat e tij më të famshme.

Casa Batlló u frymëzua nga stili spanjoll Mudéjar, arti i zhvilluar nga myslimanët që mbetën në Gadishullin Iberik pas vitit 1492 dhe që karakterizohet nga tullat dhe pllakat me ngjyra të ndezura.

La Casa Milà, e njohur edhe si La Pedrera, ka një fasadë me forma të valëzuara, e cila thuhet se është frymëzuar nga dervishët rrotullues sufi të urdhrit Mevlevi në Konya të Turqisë.

Në Park Güell, Gaudí përdori gjerësisht teknikën trencadís. Kjo formë neo-Mudéjar e artit maur konsiston në thyerjen e pllakave dhe enëve me ngjyra dhe më pas riorganizimin e copëzave të tyre në mozaikë me motive të ndërlikuara.

Teknika të ngjashme kaluan përtej Atlantikut pas vitit 1492. Myslimanët që e fshihnin besimin e tyre, të njohur si kripto-myslimanë, me shumë gjasa e sollën artin Mudéjar në Meksikë, ku punuan së bashku me mjeshtrit vendas.

Ky stil, i njohur si arti azulejo, gjendet në fasadën e kishës San Francisco Acatepec në Puebla, e cila është e mbuluar nga lart poshtë me pllaka shumëngjyrëshe. Sipas poetit José MorenoVilla, ai “i afrohet deliriumit… Gjithçka është ngjyrë dhe shkëlqim.”

Efekti i përgjithshëm njihet si alicatado, ose dekorim me pllaka të prera. Fjala rrjedh nga arabishtja al-qat, që do të thotë “prerje”.

Kur Barcelona u sulmua në vitin 2017, terroristët iu referuan kësaj historie të përbashkët, duke besuar se po çlironin atë që dikur kishte qenë Spanja islame. Por, ashtu si historia e përbashkët u përdor për të shkatërruar, ajo shërbeu edhe si frymëzim për disa nga veprat më të bukura dhe më të çmuara të arkitekturës spanjolle.