Në Konferencën Kombëtare të Ndërveprimit të Drejtësisë me Mediat, ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, iu drejtua magjistratëve të rinj që sot diplomohen, për përgjegjësitë që profesioni i tyre mbart si dhe rëndësia që kanë për vendin.
Teksa thekson mbështetjen e Bashkimit Evropian për shkollën e Magjistraturës, Gonzato thotë se ushtrimi i profesionit të prokurorit e gjyqtarit, kërkon integritet, ndershmëri ndërsa shton se çdo vendim i marrë prej tyre, ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
“Prania ime këtu tregon mbështetjen tonë për Shkollën e Magjistraturës dhe rëndësinë që ajo ka. Festime dhe ceremoni të tilla janë momente lumturie. Është fantastike që gjithçka përfundoi, por është edhe një moment që shënon një tranzicion në jetën tuaj.
Ju do të keni pozicione të nivelit të lartë, por mbi të gjitha do të ofroni një shërbim publik. Çdo vendim që ju do të merrni do të ndikojë në jetën e qytetarëve. Ai do të përcaktojë edhe besimin që ata do të kenë te sistemi i drejtësisë, i cili është themelor në kontratën sociale.
Kjo kërkon integritet, ndershmëri dhe guxim, por edhe përulësi. Duhet të pranoni se ndonjëherë ideja juaj e parë mund të mos jetë e duhura. Arritja e standardeve evropiane nuk bëhet vetëm me miratimin e ligjeve, por edhe përmes punës së përditshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse ju do të jeni ata që do të siguroheni që ligji të zbatohet.
Institucionet, në vetvete, nuk krijohen vetëm nga ligjet dhe rregulloret. Ato kërkojnë edhe ndryshim kulture dhe mendësie. Unë ende nuk jam i bindur se ky ndryshim mendësie është arritur. Është në dorën tuaj. Jeni ju brezi i ri që duhet të përmbushni këto pritshmëri, duke siguruar që drejtësia të ofrohet në kohë dhe me cilësi. Ne, në Bashkimin Evropian, do të vazhdojmë të mbështesim Shkollën e Magjistraturës dhe të gjithë sistemin e drejtësisë në Shqipëri”, tha ndër të tjera Gonzato.







