Ballina Opinion Pushteti zombi i Edi Ramës dhe funerali politik i një dashnori zemërthyer

Pushteti zombi i Edi Ramës dhe funerali politik i një dashnori zemërthyer

74
0

Nga Ilir Dako

Kryeministri shqiptar është përfshirë nga flakët e ferrit politik, jo si metaforë e largët, por si realitet i ndezur nga sheshet që buçasin çdo ditë. Një muaj i tërë, Tirana është shndërruar në arenë të revoltës rinore, ku zemërimi i një populli të lodhur nga grabitja sistematike është kthyer në energji të papërmbajtshme. Zvërneci ishte vetëm sebepi, fitili i vogël që ndezi revoltën e madhe. Sot, sheshi është pasqyra e një kombi që nuk pranon më të dhunohet nga patronazhistët, nga makineria e shitblerjes së votës, nga arroganca e një mazhorance që e ka kthyer pushtetin në pronë private.  Sot mbushet muaji që sheshi në Tiranë shndrit nga optimizmi rinor i një populli që kërkon ndryshim, i një populli të lodhur nga grabitja sistematike e një bande të instaluar nëpërmjet një sistemi të sofistikuar kleptokratik, që përveç ka grabitur çdo qindarkë të shqiptarëve në mënyrë të pamëshirshme, por i ka tjetërsuar dhe votën si gjënë më të shenjtë që përcakton vullnetin e tij.

Dokrrat me “900 mijë vota” janë bërë refren i neveritshëm, një propagandë e shëmtuar që mazhoranca e Edi Ramës i përplas në fytyrë çdo shqiptari si kartë arrogante e një elektorati falc. Sheshi buçet, tkurret dhe bymehet sipas ritmit të zemërimit që shtohet përditë nga mungesa e sensibilitetit të një mazhorance të ngritur mbi patronazhin dhe shitblerjen e votës.

Në atë shesh janë shqiptarët që kanë parë me sytë e tyre inceneratorët e zhdukur, tenderat e manipuluar, pronat e grabitura. Janë ata që ndihen të tradhtuar nga ministrat, zëvendëskryeministrat, drejtorët e administratës, të shndërruar në këpushat që thithin gjakun e kombit. Janë ata që shohin luksin e vilave në bregdet, kostumet Versace e Armani, dhe e dinë se pas çdo fasade fshihet një rekord vjedhjesh.

Emrat nuk janë thjesht retorikë: disa sot janë në burg, të tjerë nën hetim nga SPAK, të tjerë me pasuri të sekuestruara. Ilir Beqaj dhe Erion Veliaj janë shembuj të gjallë se drejtësia ka nisur të lëvizë. Ahmetaj, Xhaçka, Krifca, Balluku, Berisha, Meta – të gjithë të përfshirë në dosje që po tronditin themelet e pushtetit. Sheshi nuk është thjesht protestë, është tribunë ku populli i thotë hapur: “Ju vodhët gjithçka, por nuk do të na vidheni më dot të ardhmen.”

Janë plot 35 vite që fëmijët tanë lindën dhe u plakën me fytyrat e urryera të Berishës, Ramës, Metës, dhe të tjerëve që kanë ushtruar karshillëk me luksin e tyre të shfrenuar, duke përbuzur njeriun e thjeshtë, punëtorin, intelektualin, biznesmenin, pensionistin. Një elitë provinciale e shndërruar në aristokraci fallco, ku kutërbon era e bagëtisë e miksuar me parfumet e shtrenjta.

Protesta nuk ka lidhje me Zvërnecin. Zvërneci ishte sebepi, fitili, pikënisja për të mbushur sheshet antiestablishment. Reagimi i Edi Ramës është tipik, si i çdo minidiktatori të dehur nga pushteti, që ushtrinë e njerëzve të thjeshtë e sheh si lëvizje të parëndësishme. Por ai është shurdh ndaj thirrjes së vegjëlisë që i kërkon kokën. Raportet ndërkombëtare i kanë kërkuar prej kohësh të kthejë vendin në shinat e demokracisë. Mesazhet e SHBA-BE janë të qarta: të tërhiqet nga pazaret e pista ekonomike, të lejojë drejtësinë të bëjë rolin e saj. BE ka bllokuar kapitullin e parë të negociatave dhe ka kërkuar hapur arrestimin e Belinda Ballukut.

Kokëfortësia e Ramës ka hasur në dy fronte: presionin popullor dhe presionin e superfuqive, që duket sikur po i bëjnë procedurën e funeralit politik. Mbajtja me çdo kusht e Ballukut në pushtet, edhe pas plasjes së skandaleve, tregon qartë se akuzat për të përfshijnë edhe vetë Ramën. Pozita e tij është e dëshpëruar, lëvizjet e tij janë të kushtëzuara dhe  qeverisja e tij tashmë është kthyer në një zombi që pret ditën fatale të funeralit të saj politik.

Edi Rama ndjen frikën e një të ardhme të frikshme, në panik qan  ulëret, çirret, si dashnori për një dashuritë humbur. Pushtetin dhe Belindën. Ashtu si Roderigu, rivali i Otellos për Desdemonën qante tek Jago për dashurinë e humbur, duke thënë: “I humbur është ai që rron kur jeta është një mundim, receta thotë të vdesim dhe vdekja është mjeku ynë.” Rama, Roderigu ynë, duket se ka vendosur të zbatojë recetën e mjekut. Tashmw ndihet i humbur pasi  Desdemonën ja ka rrëmbyer Otello – SPAK, pushtetin po ja merr sheshi. I dëshpëruar ai po kryen aktin final sipas recetes se mjekut: vetëvrasjen e tij politike, duke mos mundur të ndahet nga dashuria e sëmurë për pushtetin dhe Belindën. Sebepi nuk është më shamia e Desdemonës-Balluk si shenjë e tradhtisë, por zemërimi i të përbuzurve nga qeverisja e tij.