Ballina Aktualitet Inceneratori i Veliajt/ Miliarda nga paratë e shqiptarëve dhe një impiant që...

Inceneratori i Veliajt/ Miliarda nga paratë e shqiptarëve dhe një impiant që nuk funksionoi

31
0

Më 30 shtator 2024 raportuam se pagesat për kompaninë Integrated Energy BV SPV, koncesionaren e inceneratorit të Tiranës, kishin kaluar 10 miliardë lekë vetëm për atë vit. Sot, dy vjet më pas, paratë publike vazhdojnë të derdhen. Të dhënat e Thesarit, të publikuara në regjistrin e shpenzimeve, tregojnë se vetëm gjatë vitit 2026 janë ekzekutuar 1.006 miliardë lekë në 56 pagesa për Integrated Energy BV SPV, deri më 21 shtator. Pagesat vijojnë edhe nga Bashkia Tiranë: 73.9 milionë lekë për prillin, 76.2 milionë për majin, 76 milionë për qershorin dhe 78.2 milionë lekë për korrikun 2026. Faturat kanë të njëjtin përshkrim: depozitimi i mbetjeve urbane dhe kontrata e koncesionit të vitit 2017.

Pas kësaj kompanie qëndron një nga historitë më të debatuara të financave publike shqiptare. SPAK ka deklaruar se, bazuar në hetimet e tij, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë qenë pronarët “de facto” të Integrated Energy BV SPV, ndërsa në vitin 2023 Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro preventive mbi kompaninë dhe pasuritë e saj.

SPAK ka bërë publike gjithashtu gjetjen e hetimit se Zoto dhe Mërtiri kishin përfituar 409.4 milionë lekë përmes faturave tatimore të falsifikuara. Ndërkohë, administrimi i pasurisë së sekuestruar i është besuar Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Pra, edhe pse pronësia dhe administrimi i kompanisë janë futur prej vitesh në një proces të jashtëzakonshëm ligjor, mekanizmi financiar i pagesave për depozitimin e mbetjeve nuk është ndërprerë.

Dhe pikërisht këtu qëndron pyetja që kërkon përgjigje publike: sa do të vazhdojë të paguajë qytetari shqiptar për një kontratë që është shndërruar në një prej dosjeve më të mëdha të korrupsionit të hetuara nga SPAK? Shifrat tregojnë se historia nuk është mbyllur me sekuestrimin e kompanisë dhe arrestimet apo procedimet e personave të lidhur me të. Vetëm në nëntë muajt e parë të 2026-ës, mbi 1 miliard lekë janë paguar për Integrated Energy BV SPV. Ndërsa në faturat e Bashkisë Tiranë vazhdon të shkruhet e njëjta arsye: depozitim i mbetjeve urbane. Dy vjet pas alarmit të shtatorit 2024, inceneratori nuk është më vetëm një aferë e së shkuarës; ai vazhdon të prodhojë faturë për buxhetin publik.