Ballina Kronika Operacion i madh, bilanci/ Në sajë të punës së mirë të Policisë...

Operacion i madh, bilanci/ Në sajë të punës së mirë të Policisë Durrës, 2 në pranga dhe 9 nën hetim… pas ‘sulmit’ ndaj eskortës së Ramës

20
0

Vezët e hedhura dje drejt eskortës së kryeministrit Edi Rama, teksa ky i fundit udhëtonte drejt Gjirit të Lalzit për të marrë pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste, kanë përfunduar me një bilanc që do ta kishte zili edhe ndonjë operacion i madh policor: dy të arrestuar, nëntë persona nën hetim dhe një dosje e referuar në Prokurori.

Policia e Durrësit ka arrestuar Edison Likën, 28 vjeç, dhe Albi Demën, 37 vjeç, të dy banues në Tiranë, me akuzën “Goditje për shkak të detyrës”.

Por historia nuk mbyllet me kaq. Për të njëjtin incident janë proceduar penalisht edhe nëntë persona të tjerë, të moshave nga 23 deri në 50 vjeç, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Pra, nga një breshëri vezësh në rrugën drejt Lalzit, bilanci ka shkuar në 11 persona me probleme penale. Një vezë mund të kushtojë pak në treg, por kur fluturon drejt eskortës së kryeministrit, pasojat mund të jenë shumë më të shtrenjta.

Sipas Policisë, personat e përfshirë tentuan të bllokonin rrugën dhe hodhën sende në drejtim të automjeteve të personaliteteve të larta shtetërore.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit:

E. L., 28 vjeç, dhe A. D., 37 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Gjithashtu, proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit:

E. P., 33 vjeçe, D. G., 50 vjeç, O. D., 34 vjeç, M. C., 28 vjeçe, L. A., 24 vjeçe, I. R., 31 vjeç, N. S., 23 vjeçe, J. S., 25 vjeçe, të tetë banues në Tiranë, si dhe I. Ll., 27 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Këta shtetas, më datë 14.11.2026, rreth orës 10:00, në fshatin Kameras, në aksin rrugor Maminas–Gjiri i Lalzit, kanë tentuar të bllokojnë rrugën dhe kanë hedhur vezë dhe sende të forta në drejtim të automjeteve të personaliteteve të larta shtetërore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.