Ballina Aktualitet “Shqiptarët meritojnë më shumë se qeveria e tyre”, eurodeputetja gjermane Paulus: Edi...

“Shqiptarët meritojnë më shumë se qeveria e tyre”, eurodeputetja gjermane Paulus: Edi Rama më dërgoi email për…

64
0

Në protestën masive përpara Kryeministrisë ka marrë fjalën edhe eurodeputetja gjermane, Jutta Paulus, e cila ka lëshuar akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke zbuluar edhe një prapaskenë nga Brukseli. Ajo përgëzoi qytetarët për qëndresën dhe theksoi se pasuritë natyrore të vendit nuk mund të shkatërrohen për interesat e oligarkëve.

“Natyra shqiptare është shumë e bukur dhe e mrekullueshme dhe është kaq bukur t’ju shoh që luftoni për natyrën, për flamengot dhe kundër oligarkëve që duan të shkatërrojnë atë natyrë. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur në këtë betejë dhe do përcjellim zërin tuaj në Bruksel dhe do themi se Shqipëria nuk është në shitje, natyra nuk është në shitje!” u shpreh Paulus.

Eurodeputetja nënvizoi se nëse Shqipëria dëshiron anëtarësimin në Bashkimin Europian, qeveria duhet të anulojë urgjentisht ligjet e bëra me porosi.

“Po luftoni për vendin tuaj, por edhe për të drejtat tuaja, për t’u dëgjuar. Sepse kjo është në ligjet evropiane. Nëse Shqipëria do bashkohet me BE, që ju e meritoni kaq shumë, atëherë qeveria juaj duhet të ndryshojë ligjin, duhet të heqë ligjin që kanë ndryshuar për miliarderët dhe që nuk e bënë për të mirën e shqiptarëve, por vetëm për xhepat e tyre dhe miqtë e tyre! Faleminderit për këtë protestë edhe pse qeveria kërkon t’ju intimidojë dhe t’ju largojë nga të drejtat tuaja.”

Në fund të fjalës së saj, Paulus zbuloi një detaj mbi presionin e tentuar nga kreu i qeverisë shqiptare për të bllokuar amendamentet në Parlamentin Europian, duke siguruar se Brukseli nuk do të heshtë.

“Tineke e përmendi rezolutën duke kërkuar moratorium. Unë mora email nga Edi Rama duke më thënë të mos votoj për një amendament, por sigurisht ne votuam për atë amendament sepse ligji evropian duhet të jetë në fuqi dhe ai nuk është për shitje po ashtu! Vijoni betejën tuaj, do bëjmë më të mirën për të mbështetur luftën tuaj në Bruksel. Shqiptarët meritojnë më shumë se qeveria e tyre.”