Qeveria ka miratuar krijimin e Inspektoratit Qendror të Punës, në varësi të ministrit përgjegjës për punën. Me hyrjen në fuqi të vendimit, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore do të ristrukturohet në Inspektoratin Qendror të Punës, ndërsa i gjithë procesi i riorganizimit duhet të përfundojë brenda 6 muajve.
Institucioni i ri do të ketë si mision garantimin e zbatimit të legjislacionit të punës, përmes kontrollit, këshillimit, parandalimit dhe sanksionimit. Në fokus të tij do të jenë kushtet e punës, mbrojtja e punëmarrësve, kohëzgjatja e punës, pagat, sigurimet, higjiena dhe mirëqenia në punë, si edhe çështje që lidhen me punësimin e fëmijëve, të miturve dhe grave.
Inspektorati Qendror i Punës do ta shtrijë veprimtarinë në të gjithë territorin e vendit dhe do të organizohet në dy nivele: drejtoria qendrore dhe 5 drejtori rajonale. Drejtoria Rajonale e Tiranës do të mbulojë Qarkun Tiranë; ajo e Durrësit qarqet Durrës dhe Dibër; ajo e Vlorës qarqet Vlorë, Fier dhe Gjirokastër; ajo e Korçës qarqet Korçë, Elbasan dhe Berat; ndërsa Drejtoria Rajonale e Shkodrës do të mbulojë qarqet Shkodër, Lezhë dhe Kukës.
Institucioni do të drejtohet nga Kryeinspektori Qendror, i cili do të organizojë dhe drejtojë veprimtarinë e inspektoratit, do të raportojë përpara ministrit përgjegjës dhe Inspektorit të Përgjithshëm, si dhe do të ketë përgjegjësi për menaxhimin e burimeve njerëzore, financiare dhe buxhetore. Ai do të mbështetet nga 1 zëvendëskryeinspektor qendror.
Drejtoria qendrore do të hartojë objektivat, programet vjetore dhe mujore të inspektimit, do të përgatisë raportin vjetor të veprimtarisë inspektuese dhe do të kujdeset për unifikimin e praktikave në të gjithë vendin. Ajo do të ketë rol edhe në informimin e publikut, këshillimin e subjekteve për detyrimet ligjore dhe propozimin e metodave apo ndryshimeve që rrisin eficiencën e inspektimit të punës.
Drejtoritë rajonale do të kryejnë inspektimet në terren, sipas planeve vjetore dhe mujore, por edhe inspektime jashtë programit kur parashikohet nga ligji. Kryeinspektorët rajonalë do të lëshojnë autorizimet e inspektimit dhe do të raportojnë drejtpërdrejt te Kryeinspektori Qendror.
Vendimi përcakton edhe trajtimin e punonjësve aktualë. Nëpunësit civilë që kryejnë funksione inspektuese do të trajtohen sipas dispozitave kalimtare të ligjit të ri për inspektimin, ndërsa ata që kryejnë funksione horizontale do të trajtohen sipas legjislacionit për nëpunësin civil në rastet e ristrukturimit. Punonjësit me marrëdhënie pune sipas Kodit të Punës do të vijojnë punën pranë Inspektoratit Qendror të Punës, në përputhje me strukturën e re.
Deri në nisjen e funksionimit të plotë të Inspektoratit Qendror të Punës, institucioni aktual do të vazhdojë të funksionojë sipas strukturës ekzistuese. Me hyrjen në fuqi të vendimit, shfuqizohet vendimi i vitit 2013 për krijimin dhe funksionimin e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.







