Kur nuk bëjnë derman as gjykatat, as lobimet ndërkombëtare dhe as takimet e nivelit të lartë, Behgjet Pacolli ka gjetur “armën e fundit” sekrete për të fituar betejën e tij me qeverinë shqiptare për Aeroportin e Vlorës: ndërhyrjen hyjnore nga distanca.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, biznesmeni dhe politikani nga Kosova ka njoftuar se çështja e tij tashmë ka kaluar në nivele të larta metafizike. Sipas Pacollit, një mik i tij besnik nga Mauritania ka vendosur të lexojë të gjithë Kuranin brenda një dite për të bindur qiejt.
Lexoni postimin e plotë dhe plot dritë morale të z. Pacolli:
Miq të dashur,
Para se ta ndaj me ju, dua të them se sot mora një mesazh nga një mik i imi në Mauritani, i cili më njoftoi se po lutet që Allahu të bëjë drejtësi në çështjen time me qeverinë e Shqipërisë.
Çdo ditë marr dhjetëra letra dhe mesazhe nga njerëz në të katër anët e botës, të cilët më shprehin mbështetjen e tyre dhe luten që e drejta të triumfojë. Kjo për mua është një forcë e madhe morale dhe një dëshmi se besimi në drejtësi nuk njeh kufij.
Mesazhi i tij në anglisht ishte:
“Today, Friday, I will recite the entire Holy Qur’an and make du’a, asking Allah to grant you justice in your case with the Albanian government regarding the airport. Inshallah, you will win the process.”
Përkthimi në shqip:
Sot, të premten, do ta lexoj të gjithë Kuranin e Shenjtë dhe do t’i lutem Allahut që të të japë drejtësi në çështjen tënde me qeverinë shqiptare lidhur me aeroportin. Dashtë Zoti (Inshallah) ta fitosh këtë proces.
Faleminderit nga zemra për këtë mbështetje, për lutjet dhe për besimin tuaj. Zoti i shpërbleftë të gjithë ata që luten për triumfin e së drejtës dhe të drejtësisë.







