Vijojnë tashmë prej 37 ditësh protestat masive të cilat kërkojnë largimin e qeverisë ndërsa kusht thelbësor, të menjëhershëm dhe të pa negociueshëm, kanë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ky i fundit thuajse çdo ditë reagon ndaj protestuesve, duke u shprehur se ata po mashtrohen dhe përdorur, madje ka akuzuar se protestat mbarëpopullore janë të organizuara nga agjentë të huaj.
Rama ka postuar mëngjesin e sotëm në rrjetet sociale, një poezi të Dritëro Agollit, “Kundërshtarëve të mi”.
“Ju aq baltë po hidhni mbi mua, Sa në baltën që kam përmbi trup Mund të mbijë një dardhë a një ftua, Një korije e madhe me dushk.
Në korije dhe dru mund të mbani, Mund të shkoni për gjah me langonj, Mund të ngjiti në pemë të hani, Po të doni dhe dardha, dhe ftonj.
Balta ngrihet mbi mua e pasur, Sa mbi baltën korija bleron… Trupin tim ma bleruat padashur Dhe ma bëtë vërtet plantacion”, thuhet në poezinë e ndarë nga kreu I qeverisë.
Ndërkohë, gazetari Klevin Muka, i cili ditën e djeshme pati edhe një “përplasje” online me kryeministrin, i është përgjigjur me një poezi po nga shkrimtari I madh Agolli, “Një i çmendur një vend e çmend”.
“Në vendin tim e në vendin tënd E shpojnë lakren, i hedhin mënd.
Në vendin tim e në vendin tënd Ty te kruhet, tjetrit i dhëmb.
Në vendin tim e në vendin tënd
Hënën si petull e pjekin në shkëmb.
Në vendin tim e në vendin tënd
Një i çmendur, një vend e çmënd”, thuhet në poezinë e Dritëro Agollit.






