Ballina Ekonomia Mbi 7 miliardë lekë kërkesa për Skemën Kombëtare të Mbështetjes, fermerët dominojnë...

Mbi 7 miliardë lekë kërkesa për Skemën Kombëtare të Mbështetjes, fermerët dominojnë me investime në bujqësi dhe blegtori

66
0

Mbi 7 miliardë lekë është fondi që fermerët kanë kërkuar përmes aplikimeve në Skemën Kombëtare të Mbështetjes 2026, e cila mbylli dje zyrtarisht fazën e aplikimeve. Të dhënat paraprake tregojnë një interes të lartë në të gjithë vendin, me kërkesa që tejkalojnë ndjeshëm fondet e zakonshme të mbështetjes dhe pasqyrojnë nevojat për investime në sektorin bujqësor.

Peshën më të madhe të kërkesave e zë masa për mbjelljen e kulturave bujqësore mbi 3 hektarë, për të cilën fermerët kanë aplikuar për rreth 2 miliardë lekë.

Pas saj renditet sektori i blegtorisë, ku janë kërkuar:
1.9 miliardë lekë për bagëtitë e imta;
1.4 miliardë lekë për lopët;
1.1 miliardë lekë për bletarinë.

Interes të lartë ka pasur edhe për masën që mbështet kontrollin biologjik të dëmtuesve, ku vlerësohet se kanë aplikuar pothuajse të gjithë fermerët që përdorin këtë teknologji në serrat e tyre.

Aplikimet janë shpërndarë në të gjitha qarqet dhe për të gjitha masat mbështetëse, duke reflektuar strukturën e prodhimit bujqësor dhe blegtoral në vend.

Për herë të parë, skema ka përfshirë një masë të dedikuar për të rinjtë, për të cilën kanë aplikuar rreth 290 të rinj. Ndërkohë janë regjistruar edhe 26 aplikime për ndërtimin e staneve për bagëtitë e imta.

Në tre masat që financojnë investimet janë dorëzuar mbi 500 aplikime, me një fond të kërkuar prej 460 milionë lekësh.

Sipas institucioneve përgjegjëse, procesi i aplikimeve ka përmbushur pritshmëritë, ndërsa skema është konceptuar si një kombinim i balancuar i pagesave direkte dhe mbështetjes për investime, në përputhje me nevojat e fermerëve dhe prioritetet e zhvillimit rural.

Në ditët në vijim do të nisë verifikimi administrativ i dosjeve dhe më pas shpallja e përfituesve. Synimi është që të gjithë aplikantët që plotësojnë kriteret të financohen, ndërsa përmes alokimeve gjatë vitit të mbulohet 100% e vlerës së përfitimit për secilin prej tyre./ekofin.al