Nëse keni menduar se Ministria për Marrëdhëniet me Parlamentin merret me ligje dhe interpelanca, postimi i fundit i ministres Erjona Ismaili ju tregon sa gabim jeni. Sot, zyra e saj ka një prioritet tjetër madhor: promovimin e koncertit privat të Kanye West në Tiranë.
Në një njoftim plot entuziazëm, ministrja merr përsipër të bëjë zëdhënësen e eventit, duke na renditur me saktësi statistikat e karrierës së reperit dhe duke na siguruar se “stadiumi 60-mijësh” po ngrihet pa asnjë lek nga buxheti i shtetit.
Dhe këtu absurditet arrin kulmin. Nëse ky koncert është 100% një biznes privat dhe nuk ka asnjë lidhje me paratë publike, pse makineria propagandistike e qeverisë – deri te ministrja e Parlamentit – është vënë me kohë të plotë në shërbim të tij?
Fakti që një ministre e Republikës shndërron profilin e saj zyrtar në tabelë reklamash për një event komercial tregon qartë se si institucionet shtetërore janë vënë pa asnjë dorezë në dispozicion të interesave private. Kur ka kaq shumë ligje e probleme që presin në Kuvend, është sa qesharake aq edhe revoltuese të shohësh se si axhenda e qeverisë përcaktohet nga hashtag-u #YEinAlbania. Ndoshta në seancën e radhës, në vend të llogaridhënies, ministrja do të na bëjë edhe ndonjë analizë të albumit të fundit të Kanye-s.







