Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë vendimesh në mbledhjen e zhvilluar më 9 korrik 2026, që prekin administratën publike, mjedisin, zhvillimin ekonomik dhe projektet infrastrukturore.
Ndër vendimet kryesore është miratimi i rregullave për përcaktimin e kritereve, procedurave të përzgjedhjes, funksionimit dhe ushtrimit të përgjegjësive të komisioneve këshillimore për dhënien e titujve të nderit.
Qeveria vendosi gjithashtu t’i propozojë Kuvendit listën e kandidatëve të kualifikuar për kryetar dhe tre anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik.
Në mbledhje u miratua edhe marrëveshja e zbatimit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), për programin “Qendrat për Migracion dhe Zhvillim” (ZME).
Një tjetër vendim përcakton kriteret, masën e përfitimit dhe llojet e pushimeve me ose pa pagesë për punonjësit e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit.
Këshilli i Ministrave vendosi gjithashtu ndryshimin e administrimit të një pasurie të paluajtshme në Vlorë, duke ia kaluar atë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës te Avokatura e Shtetit, për ushtrimin e aktivitetit sipas fushës së veprimtarisë.
Në fushën e mjedisit u miratua rregullorja që përcakton kushtet, kriteret dhe procedurat për verifikimin e shkarkimeve të gazeve me efekt serrë nga operatorët e instalimeve, operatorët e avionëve dhe subjektet e rregulluara, si dhe procedurat për akreditimin e verifikuesve.
Qeveria miratoi edhe dy vendime për shpronësime në interes publik. Njëri lidhet me projektin “Rehabilitimi i shesheve dhe zonave kryesore në afërsi të Pikës Doganore Morinë”, ndërsa tjetri me projektin “Rikonstruksioni i trotuareve në lagjen ‘Sheh’” në Bashkinë Kavajë.
Po ashtu, u vendos shpallja e disa zonave në territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz dhe në Bashkinë Përrenjas si “Zona me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore”, me synimin për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe investimet në këto zona.







