Ballina Aktualitet Qytetari anonim vë në alarm shtetin: Kufijtë e bashkive po manipulohen me...

Qytetari anonim vë në alarm shtetin: Kufijtë e bashkive po manipulohen me sistemin e ri të adresave, do ndikojë tek zgjedhjet

76
0

Një denoncim i detajuar teknik, i përcjellë zyrtarisht nga një qytetar i identifikuar si Siar Omeri, ka vendosur në alarm disa prej institucioneve më të rëndësishme në vend, duke zbuluar skandale serioze me sistemin e ri të Regjistrit Kombëtar të Adresave (RKA). Përmes një letre të protokolluar, qytetari argumenton se ndryshimet e paligjshme të kufijve administrativë në platformat dixhitale shtetërore po cenojnë sigurinë juridike dhe mund të deformojnë drejtpërdrejt procesin e ardhshëm zgjedhor.
Letra zyrtare u është drejtuar formalisht krerëve të institucioneve kryesore që kanë në varësi Gjendjen Civile, pushtetin lokal dhe menaxhimin e zgjedhjeve, konkretisht:
* Ministrit të Brendshëm
* Drejtorit të Përgjithshëm të Gjendjes Civile
* Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore
* Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)
Në letrën e tij, dërguesi sqaron se ndonëse ligji nr. 115/2014 e përcakton qartë se kufijtë e bashkive mund të ndryshohen vetëm me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë, në sistemin e ri po ndodh një “manipulim faktik” nga përdorues lokalë. Si shembull konkret, ai sjell rastin ku kufiri i Bashkisë Kamëz shfaqet i shtrirë mbi territorin e Bashkisë Tiranë, ndryshime të cilat çuditërisht janë pasqyruar edhe në Gjeoportalin Kombëtar (ASIG).
Rreziku i drejtpërdrejtë për zgjedhjet: “Rëndësi thelbësisht kushtetuese”
Alarmi më i madh i ngritur në këtë dokument lidhet me ndikimin që këto deformime kartografike do të kenë mbi votën e qytetarëve. Duke iu referuar vendimit të Komisionit Rregullator të KQZ-së, ku përcaktohet se bashkitë njoftojnë vendndodhjen e qendrave të votimit, ndërsa adresa pasqyrohet nga Gjendja Civile, denoncuesi lëshon një paralajmërim të fortë.
Sipas tij, nëse sistemet bazë të shtetit janë të korruptuara me të dhëna të rreme, pasojat do të jenë me impakt kushtetues:
> “Nëse në RKA pasqyrohen kufij të ndryshuar në mënyrë të pasaktë, atëherë reflektohen edhe të dhëna zgjedhore të deformuara. Kjo mund të sjellë shpërndarje të gabuar të zgjedhësve dhe identifikim të pasaktë të qendrave të votimit. Për këtë arsye, saktësia e adresave ka rëndësi jo vetëm administrative, por thelbësisht kushtetuese.”
>
Më tej, në listën e masave të kërkuara drejtuar këtyre institucioneve, ai insiston për një ndërhyrje urgjente për “vlerësimin e përputhshmërisë së konfigurimeve të RKA-së me kërkesat e procesit zgjedhor (sipas KQZ)”.
Kaosi teknik: Humbja e historikut të ndërtesave dhe gabimet në kodet postare
Përveç komponentit elektoral, letra zbardh një sërë problematikash të rënda të natyrës teknike e gjeohapësinore (GIS) që po ndodhin gjatë migrimit të të dhënave në platformën e re:
* Fshirja e gjurmëve historike të ndërtesave: Qytetari arsyeton se gjatë procesit të importimit të të dhënave, sistemi i ri ka dështuar të ruajë vazhdimësinë historike. Në vend që të rikuperoheshin të dhënat ekzistuese, janë krijuar gjurmë të reja me identifikues (ID) krejtësisht të rinj. Ky “shkëputim” ka sjellë pasoja të rënda, pasi ka prishur lidhjen funksionale midis adresës fizike në RKA dhe të dhënave të shtetasve në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGJC), duke cenuar sigurinë e marrëdhënies së qytetarit me administratën publike.
* Gabime topologjike gjeohapësinore: Një tjetër skandal i konstatuar lidhet med shtresën e kodeve postare. Denoncuesi shpjegon se në hartat zyrtare digjitale janë lënë të mbivendosura kodet e vjetra postare nën zonat e reja, ndërsa në raste të tjera ka poligone që nuk e mbulojnë të gjithë territorin, duke lënë “boshllëqe” në hartë. Këto gabime elementare të topologjisë pengojnë kërkimin e saktë të adresave dhe funksionimin e shërbimeve postare.
Denoncimi ka vënë tashmë përpara përgjegjësisë Ministrinë e Brendshme, DPGJC-në, AMVV-në dhe KQZ-në. Autori e mbyll letrën duke kërkuar një auditim të plotë institucional, bllokimin e aksesit të bashkive për të ndryshuar kufijtë kryekëput më vete dhe unifikimin e menjëhershëm të të dhënave midis RKA-së dhe ASIG-ut përpara se gabimet të prodhojnë një krizë kushtetuese në zgjedhjet e ardhshme.