Ballina Aktualitet Tendera, urdhra dhe ish-punëdhënësi: Gjurmët e Klodian Allajbeut në vendimet e Evis...

Tendera, urdhra dhe ish-punëdhënësi: Gjurmët e Klodian Allajbeut në vendimet e Evis Salës

64
0

Që prej emërimit në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, Evis Sala ka firmosur një sërë vendimesh që, drejtpërdrejt ose tërthorazi, kanë ngritur pikëpyetje nëse po krijohen avantazhe për bizneset e Klodian Allajbeut, ish-punëdhënësit të saj.

Përpara se të bëhej ministre, Sala mbante detyrën e zëvendësrektores në Western Balkans University, universitet privat në pronësi të Klodian Allajbeut. Ky i fundit nuk është vetëm pronar i rrjetit Spitali Amerikan, por edhe një nga aktorët më të mëdhenj privatë në shëndetësinë shqiptare. Përmes kompanive të tij, ai është përfitues indirekt i dy prej kontratave më të mëdha dhe më të debatuara në sektorin e shëndetësisë: koncesionit të Hemodializës, me vlerë rreth 84 milionë euro, dhe koncesionit të Laboratorëve, me vlerë rreth 130 milionë euro, të cilat prej vitesh kanë qenë objekt kritikash publike.

Në këtë kontekst, vendimet e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve në varësi të saj marrin një rëndësi të veçantë.

Vetëm pak javë më parë, Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP), institucion në varësi të Këshillit të Ministrave, i akordoi kompanisë “Evita”, në pronësi të Klodian Allajbeut, dy kontrata me vlerë rreth 1.3 miliardë lekë.

Tenderi më i madh, për furnizimin me impiante kokleare për QSUNT, u fitua pasi u skualifikua oferta më e ulët, rreth 197 milionë lekë më ekonomike. Vetëm katër ditë më vonë, kompania “Evita” fitoi edhe një tender tjetër për kite dhe reagentë për analizat e ngarkesës virale të HIV-it, ku ishte operatori i vetëm pjesëmarrës, duke marrë kontratën me një ofertë që arrinte në 99.7% të fondit limit.

Paralelisht me këto zhvillime, ministrja Evis Sala firmosi një urdhër për riorganizimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare nr. 10 në Tiranë, duke ulur numrin e mjekëve specialistë nga 43 në 37 dhe numrin e përgjithshëm të punonjësve nga 126 në 120.

Ky vendim ka ngritur debate, pasi qendra mbulon një nga zonat më të populluara të kryeqytetit dhe ndodhet vetëm pak metra larg Spitalit Amerikan, pjesë e rrjetit në pronësi të Klodian Allajbeut.

Pas publikimit të urdhrit, Ministria e Shëndetësisë nxori në deklaratë publike drejtoreshën e qendrës, Silvana Tako, e cila argumentoi se mjekët janë transferuar vetëm administrativisht dhe se shërbimi për qytetarët nuk do të ndryshojë. Megjithatë, vetë urdhri i ministres parashikon qartë uljen e organikës dhe nuk përmban asnjë dispozitë që garanton se specialistët do të vijojnë të ushtrojnë funksionin paralelisht në të dy qendrat.

Kjo lë pa përgjigje pyetjen kryesore: nëse shërbimi mbetet i pandryshuar, pse ishte i nevojshëm reduktimi i numrit të mjekëve në një qendër që u shërben mbi 100 mijë banorëve?

Në një sistem shëndetësor që prej vitesh përballet me mungesë mjekësh, emigrim të personelit dhe ankesa të vazhdueshme për radhët në shërbimin publik, vendimet që reduktojnë kapacitetet e një qendre publike, ndërkohë që kompanitë e ish-punëdhënësit të ministres vijojnë të përfitojnë kontrata publike me vlera të konsiderueshme, shtojnë nevojën për transparencë dhe shpjegime publike.

Në fund, secili prej këtyre vendimeve mund të analizohet veçmas. Por kur shihen së bashku, lidhja e mëparshme profesionale e ministres me Klodian Allajbeun, kontratat publike të fituara nga kompanitë e tij dhe vendimet administrative që prekin funksionimin e shërbimit publik pranë rrjetit të spitaleve të tij,  ato krijojnë një tablo që ngre pikëpyetje legjitime dhe kërkon përgjigje të qarta nga Ministria e Shëndetësisë./vna