Ballina Kronika Humbi jetën nga zjarri në banesë, 70-vjeçari ia vuri vetë flakën shtëpisë

Humbi jetën nga zjarri në banesë, 70-vjeçari ia vuri vetë flakën shtëpisë

75
0

Një ngjarje e rëndë u shënua pasditen e sotme në lagjen nr. 13 të qytetit të Korçës, ku një 70-vjeçar humbi jetën si pasojë e flakëve që përfshinë banesën e tij.

Viktima është Urim Hysolli, rreth 70 vjeç, i njohur nga banorët e zonës si person me probleme të varësisë nga alkooli. Sipas informacioneve paraprake, ai ishte rikthyer prej pak javësh në apartamentin e tij, të cilin e kishte dhënë me qira prej rreth 10 vitesh, duke jetuar së bashku me qiramarrësit.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se disa ditë më parë, në gjendje të dehur, 70-vjeçari kishte tentuar t’i vinte zjarrin banesës, por flakët ishin shuar në kohë nga qiramarrësi.

Edhe këtë pasdite dyshohet se ai i ka vënë sërish zjarrin banesës, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi në të gjithë apartamentin, shkruan A2.

Megjithëse në vendngjarje mbërritën në kohë rekord shërbimet zjarrfikëse dhe policia, nuk ishte e mundur shpëtimi i të moshuarit, i cili dyshohet se ka humbur jetën nga asfiksia.

Forcat zjarrfikëse vijojnë ende punën për shuarjen e plotë të flakëve, ndërsa për arsye sigurie janë evakuuar të gjithë banorët e pallatit.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe po merr në pyetje banorët e pallatit, si dhe qiramarrësit, për të sqaruar se çfarë ka ndodhur në momentet para rënies së zjarrit.