Ballina Opinion Për një Republikë të Katërt, të Re!

Për një Republikë të Katërt, të Re!

63
0

Nga Dashnor Kokonozi

Shqipëria që vjen duhet të ketë një vijë të qartë ndarjeje me këtë të sotmen. Çdo rend politik që synon të mbijetojë dhe të zhvillohet ka nevojë për një akt themelues të ri, një çast kur shoqëria i thotë vetes: deri këtu!

Ky çast ka ardhur!

Në fillimet e pavarsisë, Shqipëria pati një rend republikan, aq sa mundi dhe aq sa ia dhanë rrethanat. Ky rend zgjati deri më 1928, kur Ahmet Zogu, i impresionuar nga fakti se vendi ishte i rrethuar nga monarki, majtas e djathtas, lart e poshtë, vendosi të shpallë edhe ai mbretërinë e tij.

Bëri ç’mundi dhe historia e asaj periudhe është e njohur.

Paslufta na solli atë që, pa dyshim, mund të quhet Republika e Dytë: një republikë e çuditshme, ku institucionet nuk ushtronin vullnetin e tyre, por vetëm miratonin vendimet e forumeve politike. Ishte një republikë në emër, por jo në frymë. Nuk u bë e tillë as nga mutacioni i çuditshëm nga republikë popullore në republikë popullore socialiste. Pasojat dihen.

Vitet ’90 sollën Republikën e Tretë. Cilësisht e ndryshme, e hapur, e pluralizuar, por jo aq e çliruar sa të mund të shkonte më tej. Reminishencat e Republikës së Dytë ishin të dukshme: centralizim, klientelizëm, partitokraci, mungesë e pavarsisë reale institucionale. U deshën të kalonin më shumë se tridhjetë vjet që të evidentoheshin mosfunksionime edhe më të rënda.

E veçanta është se problemet e saj të vërteta u kuptuan dhe u artikuluan jo nga klasa politike, por nga brezi i ri, nga ata që ishin jashtë politikës, jashtë institucioneve, jashtë parlamentit. Nga ata që e pësonin çdo ditë keq qeverisjen.

Establishmenti politik dhe loja opozitë-pushtet kapte vetëm problemet e rastit, në kuadër të luftës për pushtet; shpesh bënte kompromise të rënda në kurriz të qytetarve, por mbi të gjitha, duke levizuar vetëm brenda sistemit, mbetej i papërgjegjshëm për anijen që kishte marrë ujë.

Protestat e këtyre ditëve ngritën nevojën ulëritëse për një Republikë të Re, me gjithçka që përfshin kjo fjalë. Të re në rend moral, para së gjithash për t’i ikur mallkimit të korrupsionit endemik, kur të zgjedhurit sillen si pronarë të vendit, por të re edhe në rend kushtetues. Dhe këtu kam parasysh se, nisur nga veçoritë e vendit, e kaluara e tij tribale, bëhet urgjente rishikimi jo vetëm i rolit të parlamentit dhe i institucioneve, jo vetëm reduktimi i mandateve në të gjitha nivelet, por edhe kalimi i një sërë kompetencash në vartësi të vullnetit popullor, thënë ndryshe, konstitucionalizimi i referendumeve si mjet i drejtpërdrejtë sovraniteti.

Pra, jo një Republikë e Tretë e retushuar nga klasa e vjetër politike, por një Republikë e Katërt, e themeluar mbi parime të reja që t’i përgjigjet kërkesave të brezit më të ri të Shqipërisë!

Dhe të shpresojmë se nga një Republikë e pushtetit për pushtetin, nga një Republikë ku vendos klientela qeveritare dhe shtypit i besohet roli i qenit roje të regjimit, më në fund do të kemi një republikë të qytetarve!