Ballina Ekonomia Produktet e gjelbra pa etiketë, Shqipëria ende pa sistem funksional certifikimi

Produktet e gjelbra pa etiketë, Shqipëria ende pa sistem funksional certifikimi

63
0

Bizneset shqiptare që prodhojnë mallra të gjelbra dhe shërbime miqësore me mjedisin nuk mund t’i promovojnë ato përmes një sistemi funksional kombëtar të etiketave ekologjike, duke dobësuar mundësinë e tyre për t’u dalluar në tregun vendas dhe në atë evropian.

Sipas raportit të OECD -së “”Indeksi i Politikave për NVM-të në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi 2026 – Profili Ekonomik i Shqipërisë”, vendi nuk ka krijuar ende një organ certifikues për dhënien e etiketave ekologjike. Udhëzimet që kërkohen për aplikimin e këtyre etiketave sipas grupeve të produkteve janë hartuar deri tani vetëm për tekstilet.

Për pasojë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme nuk mund t’i përdorin gjerësisht etiketat ekologjike për të provuar dhe promovuar karakteristikat mjedisore të produkteve të tyre.

Kjo dobësi prek një sektor ende të vogël, por me potencial për rritje. Rreth 22% e NVM-ve shqiptare ofrojnë produkte ose shërbime të gjelbra, por OECD vëren se promovimi i tyre përmes etiketave ekologjike mbetet ndjeshëm pas praktikës së bizneseve në Bashkimin Evropian.

Mungesa e etiketës dobëson konkurrueshmërinë

Etiketat ekologjike përdoren për të treguar se një produkt plotëson kritere të caktuara për ndikimin mjedisor, përdorimin e burimeve, materialet, prodhimin ose menaxhimin e mbetjeve. Për kompanitë, ato shërbejnë si instrument për të krijuar besim te konsumatori dhe për të hyrë në tregje ku kërkesat mjedisore janë më të larta.

Mungesa e një sistemi funksional i vendos bizneset shqiptare në pozita më të dobëta përballë konkurrentëve Evropianë, sidomos në sektorët që synojnë eksportin.

OECD thekson se qëndrueshmëria po integrohet gjithnjë e më shumë në tregtinë ndërkombëtare dhe në preferencat e konsumatorëve. Për rrjedhojë, udhëzimi i bizneseve për të përmirësuar produktet dhe proceset e prodhimit po bëhet vendimtar për konkurrueshmërinë.

Megjithatë, në Shqipëri ka pak prova se NVM-të marrin udhëzime të mjaftueshme për përshtatjen e aktivitetit të tyre me kërkesat e gjelbra. Nuk është vlerësuar as nëse institucionet përgjegjëse kanë staf dhe ekspertizë të mjaftueshme për të ndihmuar bizneset me detyrimet mjedisore dhe përafrimin me Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së.

Grantet mbulojnë certifikimet ndërkombëtare

Në mungesë të një sistemi të plotë kombëtar të etiketave ekologjike, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve ofron mbështetje përmes Skemës së Granteve për Certifikim.

Prej vitit 2022, kjo skemë mbështet marrjen e standardit ISO 14001:2015 për sistemet e menaxhimit mjedisor dhe ISO 50001 për menaxhimin e energjisë.

Këto standarde mund t’i ndihmojnë bizneset të përmirësojnë proceset e brendshme, të ulin konsumin e burimeve dhe të përmbushin kërkesat e partnerëve të huaj. Megjithatë, OECD vëren se nuk ka të dhëna për numrin e SME-ve që kanë përfituar nga skema dhe për ndikimin që certifikimet kanë pasur në aktivitetin e tyre.

Mungesa e të dhënave e vështirëson vlerësimin nëse mbështetja ka sjellë rritje të eksporteve, përmirësim të eficiencës energjetike apo shtim të produkteve të certifikuara./ekofin.al