Ballina Sport Brazili i premton tifozëve Botërorin 2030, ‘shpërthejnë’ ofendimet në rrjetet sociale

Brazili i premton tifozëve Botërorin 2030, ‘shpërthejnë’ ofendimet në rrjetet sociale

63
0

Federata Braziliane e Futbollit (CBF) është vënë në qendër të kritikave të ashpra nga tifozët, pasi publikoi një video motivuese një javë pas eliminimit të Brazilit nga Kupa e Botës 2026.

“Seleção” u eliminua në fazën e 1/8-ave pas humbjes 2-1 ndaj Norvegjisë, ndërsa CBF tentoi të transmetonte një mesazh optimizmi për të ardhmen. Në videon e publikuar në rrjetin social X, federata premtoi rikthim më të fortë në Botërorin e ardhshëm.

“Pas katër vitesh, përgatituni, sepse do të jemi edhe më të fortë, duke synuar yllin e gjashtë”, thuhej në mesazhin e videos.

Postimi shoqërohej edhe me mbishkrimin: “Një film që nuk donim ta shkruanim, për një histori që nuk mund të harrohet. Mund ta besoni.”

Megjithatë, reagimi i tifozëve ishte krejtësisht i kundërt nga ai që priste federata. Seksioni i komenteve u mbush me kritika të forta ndaj drejtuesve të futbollit brazilian, të cilët shumë tifozë i akuzuan për mungesë përgjegjësie dhe përqendrim te marketingu, në vend të rezultateve në fushë.

“Shkoni në djall. Është vetëm marketing dhe retorikë boshe”, shkroi një prej përdoruesve.

Një tjetër komentues u shpreh edhe më ashpër, duke fajësuar drejtpërdrejt drejtuesit e federatës për rënien e futbollit brazilian dhe duke theksuar se suksesi do të rikthehet vetëm kur interesat e futbollit të vendosen mbi ato personale.

Përveç eliminimit, shumë tifozë ngritën shqetësime edhe për çmimet e larta të biletave, duke i konsideruar ato si një tjetër tregues të shkëputjes së federatës nga mbështetësit e saj.

Reagimet në rrjetet sociale tregojnë se pakënaqësia ndaj CBF-së shkon përtej eliminimit nga Botërori, duke reflektuar një krizë besimi mes tifozëve dhe institucioneve që drejtojnë futbollin brazilian.