Ballina Aktualitet Qëndresa Qytetare kërkesë KLSH: Audito 4 milionë eurot e koncertit të Kanye...

Qëndresa Qytetare kërkesë KLSH: Audito 4 milionë eurot e koncertit të Kanye West, janë para publike, çdo qindarkë…

62
0

Qëndresa Qytetare i është drejtuar sot zyrtarisht Kontrollit të Lartë të Shtetit me kërkesën për të ushtruar kontroll mbi përdorimin, administrimin dhe mbrojtjen e 4 milionë eurove të marra nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për financimin e pjesshëm të koncertit të Kanye West.

“Ekzistojnë dyshime serioze mbi ligjshmërinë dhe mënyrën e përdorimit të fondit rezervë, i cili, sipas legjislacionit buxhetor, duhet të përdoret vetëm për shpenzime të paparashikuara dhe objektivisht të pamundura për t’u parashikuar gjatë procesit të hartimit të buxhetit.

Financimi i një aktiviteti privat kulturor përmes një akti normativ të miratuar vetëm pak ditë përpara zhvillimit të koncertit ngre pikëpyetje të forta mbi respektimin e procedurave ligjore, transparencën e vendimmarrjes, kriteret e përzgjedhjes së përfituesit dhe eficiencën e përdorimit të parave publike.

Akti Normativ nr. 3/2026 bie ndesh me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe rregullat e BE-së për ndihmën shtetërore, pasi favorizon financiarisht përfitues të caktuar dhe rrezikon të shtrembërojë konkurrencën.

Për këtë arsye, Qëndresa Qytetare i kërkon Kontrollit të Lartë të Shtetit të auditojë të gjithë procesin e vendimmarrjes, transferimit dhe përdorimit të fondeve publike të lidhura me Aktin Normativ nr. 3/2026”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.

Kërkohet gjithashtu që nëse gjatë auditimit evidentohen elementë të ndihmës së paligjshme shtetërore apo shkelje të tjera ligjore, çështja t’u referohet institucioneve kompetente, përfshirë Komisionin e Ndihmës Shtetërore dhe organet e ndjekjes penale.

“4 milionë euro janë para publike dhe çdo qindarkë e tyre duhet të jetë e justifikuar, transparente dhe e kontrollueshme”, përfundon njoftimi.