Ballina Sport Italia, nis ‘gjuetia’ për trajnerin e ri, ëndrra Guardiola kalon përmes miqësisë...

Italia, nis ‘gjuetia’ për trajnerin e ri, ëndrra Guardiola kalon përmes miqësisë me Paolo Maldinin

73
0

Tani që Italia e ka Drejtorin Teknik të saj që është Paolo Maldini i cili do të ketë si bashkëpunëtor Leonardon, është koha që të gjendet dhe trajneri që do të ulet në pankinën e saj.

Në total janë 5 emra që po lakohen dhe bëhet fjalë për Carlo Ancelotti, Antonio Conte, Pep Guardiola, Stefano Pioli dhe Roberto Mancini. Kështu parashikohet që bota e Të Kaltërve të përjetojë një tjetër javë të nxehtë pasi kontaktet do të nisin që këtë të hënë dhe asgjë nuk është e vendosur apo e mirëqenë.

Pikërisht për këtë arsye mbetet ende gjallë ëndrra që të çon pikërisht te Pep Guardiola edhe pse është shumë e vështirë që të arrihet te ai për të paktën 3 motive; katalanasi kishte thënë se donte të merrte një periudhë pushimi pas viteve të tëra me Citizens, është mësuar me pagë tejmase të lartë që Federata Italiane nuk mund t’ia garantojë dhe nuk është e thënë që ai të dojë të lidhet për të paktën 4 vjet(këtë kërkon projekti i kombëtares italiane me horizont Botërorin 2030), kur në muajt apo sezonin e ardhshëm mund të gjejë një klub të një niveli të lartë që mund t’i propozojë pagë të rëndësishme.

Por nëse ka edhe vetëm 0.1% shpresë, Federata kërkon ta luajë falë lidhjes që kanë Paolo Maldini dhe Guardiola, një lidhje që ka nisur në 2009. Në 27 maj të atij viti, Pep Guardiola pasi fitoi Championsin e tij të parë si trajner i Barcelonës foli për mediat italiane. ‘Ia dedikojmë Paolo Maldinit, e di që gjërat nuk shkuan mirë në ndeshjen e fundit, duhet të dije se ka admirimin e të gjithë Evropës ka qenë futbollisti më i rëndësishëm në 25 vjet-kanë qenë fjalët e Guardiolës. Dhe këtu lind pyetja, përse Guardiola foli në këtë mënyrë? Thjesht sepse 3 ditë më parë, Maldini kishte luajtur ndeshjen e tij të fundit dhe lamtumira e tij nga futbolli dhe Milani nuk shkoi siç duhej; një pjesë e tifozëve të Milanit e fërshëllyen në San Siro duke shkatërruar pjesërisht momentin emocionues

Që nga ai moment mes tyre lindi një miqësi, Maldini falënderoi Guardiolën për fjalët e tij dhe tani 17 vjet më vonë të dy mund të jenë nën të njëjtën çati…atë Të Kaltër. Është ky një skenar tërheqës, por edhe i komplikuar në të njëjtën kohë, por të ëndërrosh nuk të kushton asgjë; Pep e do Italinë dhe mund të vlerësojë një sfidë të re dhe me Maldinin përkrah do të ishte gjithçka më e lehtë.