Ballina Europë Zjarret masive alarmojnë Parisin, dërgohen avionë zjarrfikës

Zjarret masive alarmojnë Parisin, dërgohen avionë zjarrfikës

52
0

Dy avionë zjarrfikës janë dërguar me urgjencë në rajonin e Parisit. për të ndihmuar në shuarjen e një zjarri të madh pyjor, në jug të kryeqytetit francez, raportoi BBC. Zjarri në pyllin e Fontainebleau është përshkruar nga autoritetet si shumë agresiv dhe me përmasa të jashtëzakonshme.

Flakët kanë detyruar mbylljen e pjesshme të autostradës kryesore, që lidh veriun me jugun e Francës, duke shkaktuar probleme në qarkullim, gjatë fundjavës së parë të madhe të pushimeve verore. Sot në mëngjes, autoritetet njoftuan se zjarri kishte përfshirë rreth 800 hektarë pyll dhe se po vazhdon të përhapet në zonë, rreth 60 kilometra në juglindje të Parisit.

Rajoni i Parisit po përballet me valën e tretë të të nxehtit këtë vit, ndërsa vera e këtij viti ka shënuar rekorde të reja temperaturash, në disa vende të Evropës. Sipas Eric Brocardi nga Federata Kombëtare e Zjarrfikësve të Francës, kjo ishte hera e parë që avionë zjarrfikës nga jugu i Francës, një zonë zakonisht, më e thatë dhe më e nxehtë, dërgoheshin për të luftuar zjarre në rajonin e Parisit.

Përveç dy avionëve, në operacion janë përfshirë edhe dy helikopterë zjarrfikës dhe një avion vëzhgimi. “Qëllimi është shpëtimi i jetëve dhe mbrojtja e pronës”, tha Brocardi. Më herët, një tjetër zjarr kishte bllokuar një autostradë në lindje të Parisit dhe kishte ndërprerë pjesërisht, qarkullimin e trenave me shpejtësi të lartë drejt jugut të Francës.

Kompania hekurudhore franceze SNCF njoftoi se pasagjerët përballeshin me vonesa deri në gjashtë orë, për trenat që niseshin ose mbërrinin në stacionin “Gare de Lyon”, në Paris.

Vala e fundit e të nxehtit në Francë, ka detyruar gjithashtu mbylljen e përkohshme të tre centraleve bërthamore, për të shmangur derdhjen e ujërave të ngrohta ftohëse, në lumenj dhe kanale, që tashmë janë tepër të nxehta.

Organizatorët e garës së çiklizmit “Tour de France” shkurtuan etapën e garës së djeshme me 30 kilometra, pasi temperaturat iu afruan 40°C.

Temperaturat rekord në Evropë këtë verë, kanë shkaktuar zjarre të mëdha pyjore, veçanërisht në Spanjë, ku të paktën 13 persona humbën jetën nga zjarri në Almeria, një nga zjarret më vdekjeprurëse në historinë e vendit.

Edhe në Britaninë e Madhe, një zjarr i madh në Uellsin verior, u shpall incident madhor nga shërbimet e emergjencës, ndërsa zjarrfikësit po përballeshin me vatra zjarresh, në disa zona të Anglisë dhe Uellsit.